Pas intervistimit të Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, nga Prokuroria Speciale, ka reaguar ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri. Përmes një deklarate, Guri e ka cilësuar veprimin e Prokurorisë si një hap të domosdoshëm, duke shtuar se kallëzimi penal ndaj ministrit bazohet në dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe buxhetit të shtetit.
Guri i është përgjigjur pretendimeve të Pecit për një “fushatë të orkestruar”, duke i kthyer akuzat mbrapsht.
Sipas tij, “orkestrimi” i vetëm ka ndodhur brenda dikasterit që udhëheq Peci.
“I vetmi orkestrim në atë rast ka qenë orkestrimi i tij për të shpërndarë paratë e buxhetit te familjarët e eksponentëve të VV-së,” u shpreh Guri.
Ministri Peci ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj Gurit, por ky i fundit deklaroi se e mirëpret këtë ballafaqim.
Përveç temës së granteve, Guri ka rikthyer në vëmendje edhe çështjen e manipulimit të votave, duke listuar emra të zyrtarëve të pushtetit që sipas tij kanë përfituar nga vjedhja e votave
Taulant Kelmendi: 918 vota të vjedhura
Arbër Rexhaj: 623 vota të vjedhura
Rea Krasniqi: 540 vota të vjedhura
Albin Kurti: 485 vota të vjedhura
Paris Guri: 564 vota të hequra deri tani
Ai u shpreh i vendosur për të vazhduar denoncimet, duke thënë se nuk do të ndalet derisa të gjithë ata që kanë “futur duart në buxhet” të marrin dënimin e merituar. “Mezi po e pres ftesën e Prokurorisë dhe përballjen me ty në gjykatë“.