Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për të nisur hetimet në lidhje me rinumërimin e votave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025, pas dyshimeve për mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet në komunën e Obiliqit.
Hetimet do të shqyrtojnë saktësinë e rezultateve dhe mundësinë e shkeljeve nga personat përgjegjës.
“Prokuroria mbetet e angazhuar për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe ligjit”, thuhet në njoftim.
Postimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë autorizon Policinë e Kosovës lidhur me rinumërimin e votave në Obiliq
Prishtinë, 30 Janar 2026– Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se po ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit.
Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.