Një aksion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga njësia për hetimin e trafikimit me narkotikë në rajonin e Prizrenit ka rezultuar me bastisje në katër lokacione në Suharekë dhe rrethinë, ku përfunduan në pranga tre persona, mes tyre edhe i njohuri me nofkën “Baba Syl”.
Operacioni është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore dhe në koordinim me prokurorin kompetent.
Bastisjet janë kryer pas hetimeve në vazhdim për veprat penale që lidhen me narkotikë dhe armë pa leje. Aksioni është zbatuar rreth mesditës dhe ka përfunduar pas disa orësh kontrollesh intensive në terren.
Sipas të dhënave nga veprimet hetimore, janë bastisur këto lokacione:
Shtëpia dhe objektet përcjellëse të Sylejman Kryeziut në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë.
Shtëpia dhe objektet përcjellëse të Armend Kryeziut në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë.
Shtëpia dhe objektet përcjellëse të Fatlum Fandajt në fshatin Peqan, Komuna e Suharekës.
Lokali “Buble” në rrugën “Abdyl Ramaj” në Suharekë, në shfrytëzim të Armend Kryeziut.
Gjatë kontrolleve në këto lokacione, policia ka sekuestruar:
Substancë narkotike e dyshuar marihuanë në disa qese plastike me peshë të përgjithshme rreth 508 gram.
Dy doza substancë e dyshuar e llojit kokainë me peshë rreth 2.05 gram.
Një peshore elektronike për matjen e narkotikëve.
Një pistoletë e tipit M57 me një karikator dhe 5 fishekë.
Dy automjete, një kamionetë VW dhe një veturë Peugeot.
Para të gatshme rreth 2500 euro, si dhe 500 franga zvicerane dhe 2400 euro shtesë të gjetura gjatë kontrollit.
Katër telefona mobil dhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Pas bastisjeve, janë shoqëruar në polici dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës: Sylejman Kryeziu, Armend Kryeziu dhe Fatlum Fandaj, të cilëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkaq, edhe dy persona të tjerë, Betim Berisha dhe Elton Kabashi, janë proceduar në procedurë të rregullt për posedim të substancave narkotike.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar nga njësia antidrogë në Prizren dhe nuk përjashtohen veprime të tjera në vijim.


