Një person është arrestuar në Podujevë, pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti”.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar si pasojë e të shtënave.
“Rreth orës 13:30 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën ”Zahir Pajaziti” në Podujevë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar”, tha ajo.
Policia ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin.
Në bazë të disa pamjeve të publikuara, i dyshuari është endur në qytet me armë në dorë.




