Një përleshje dyshohet se ka ndodhur javën e kaluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla, konkretisht në Departamentin e Diasporës.
Sipas burimeve të Demokracia.com, rasti po tentohet të mbahet larg vëmendjes publike për të mbrojtur drejtorin e Departamentit të Diasporës, për shkak të afërsisë së tij me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë.
Fillimisht, Demokracia.com, përmes sinjalizuesve të saj, të premten e kaluar ka mësuar se në përleshje ishte i përfshirë drejtori i Departamentit të Diasporës, Elis Badallaj. Menjëherë pas kësaj, redaksia ka dërguar pyetje zyrtare në adresë të MPJD-së, mirëpo nga ky institucion nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Gjatë kësaj jave, Demokracia.com ka siguruar informacione shtesë se në përleshje, përveç Badallajt, janë të përfshirë edhe zyrtari i lartë i ministrisë, Besnik Desku, si dhe shefi i një divizioni, Ardijan Selishta.
Demokracia.com, gjatë pasdites së djeshme, ka ridërguar pyetje në MPJD lidhur me këtë incident dhe për masat eventuale disiplinore, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ministria nuk ka kthyer përgjigje.





