Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPKS) ka reaguar publikisht lidhur me disa publikime në portale dhe media që kanë trajtuar sektorin e spitaleve private, përfshirë edhe Spitalin “Fati Im”.
Në reagimin e tij, ASPKS shpreh shqetësimin se disa prej këtyre publikimeve, sipas vlerësimit të Asociacionit, nuk pasqyrojnë plotësisht faktet dhe në disa raste mungojnë referenca të qarta në dokumente zyrtare.
ASPKS thekson se e vlerëson rolin e mediave në informimin e opinionit publik, por njëkohësisht nënvizon se informimi i saktë kërkon verifikim të informatave, përdorim të burimeve të besueshme, respektim të kodit etik dhe garantim të së drejtës për përgjigje për palët e përfshira.
Reagimi i plotë:
REAGIM PUBLIK!
Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPKS) shpreh shqetësimin lidhur me disa publikime në portale dhe media, të cilat trajtojnë sektorin e spitaleve private përmes pretendimeve që, sipas vlerësimit tonë, nuk pasqyrojnë plotësisht faktet dhe shpesh mungojnë referenca të qarta në dokumente zyrtare.
ASPKS e vlerëson rolin e mediave në informimin e opinionit publik. Njëkohësisht, informimi i saktë kërkon verifikim të informatave, burime të besueshme, respektim të kodit etik, si dhe garantim të të drejtës për përgjigje për palët e përfshira.
Në këtë frymë, ASPKS inkurajon që temat që lidhen me shëndetësinë të trajtohen me kujdes të veçantë, duke u bazuar në:
• fakte të verifikuara dhe dokumente relevante;
• konsultim me institucionet përgjegjëse dhe me palët e përfshira;
• paraqitje të balancuar që shmang krijimin e pasigurisë së panevojshme tek qytetarët.
Publikimet e pambështetura mjaftueshëm në fakte mund të ndikojnë në keqinformim, në ulje të besimit të qytetarëve dhe në krijimin e një klime të panevojshme pasigurie, çka nuk i shërben interesit publik.
ASPKS mbetet i gatshëm për bashkëpunim me portale dhe media, duke ofruar transparencë dhe informata brenda kornizës ligjore, me qëllim që publiku të informohet drejt, në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme.
Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës
26.01.2026