Dark Mode Light Mode

Bordi i Paqes mund t’i sjellë Kosovës përfitime në politikën e jashtme

Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, mund t’i sjellë vendit përfitime të rëndësishme në politikën e jashtme, pavarësisht kostove të mundshme, vlerëson profesori i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, Gëzim Visoka.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Visoka thotë se për sa kohë Kosova mbetet jashtë organizatave të mëdha ndërkombëtare si NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, nisma të tilla mund t’i shërbejnë forcimit të pozicionit të saj diplomatik.

“Kjo platformë mund t’i ofrojë Kosovës një hapësirë për lobim dhe për të kërkuar njohje të reja nga shtete si Maroku apo vende të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën…Deri më tani, sistemi i OKB-së nuk i ka ofruar Kosovës barazi, qasje të duhur, nuk ka qenë në shërbim të së drejtës së Kosovës për vetëvendosje, për anëtarësim në sistemin ndërkombëtar dhe për njohje ndërkombëtare. Në një farë mënyre, kjo është edhe një protestë ndaj rendit të OKB-së, i cili ka përfunduar duke u bërë vegël e fuqive të mëdha”, thotë Visoka.

Advertisement

Gjatë fjalimit hapës në Davos, Trump tha se do të punojnë me shumë të tjerë, përfshirë edhe OKB-në.

“Ky bord ka mundësinë të jetë një nga organet më me ndikim të krijuara ndonjëherë dhe është një nder i jashtëzakonshëm për mua të shërbej si kryetar i tij. Sot po shpalosen hapat e parë drejt një dite më të ndritshme për Lindjen e Mesme dhe një të ardhmeje shumë më të sigurt për botën”, tha mes tjerash Trump.

Kosova iu përgjigj pozitivisht ftesës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese më 22 janar në Davos të Zvicrës.

Sipas Visokës, ky veprim e pozicionon Kosovën qartë në krah të SHBA-së, edhe në kontekstin e raporteve të tensionuara me Bashkimin Evropian, pa e përjashtuar orientimin euroatlantik të vendit.

Ai shton se pjesëmarrja në Bordin e Paqes mund të shihet edhe si paralajmërim për BE-në se, nëse Kosova dhe rajoni vazhdojnë të mbeten të lënë anash, mund të shfaqen iniciativa të pavarura që e zbehin vizionin evropian për Ballkanin.

I pyetur nëse çështja Kosovë–Serbi do të mund të zgjidhej përmes Bordit të Paqes, Visoka tha se është shfaqur interesim që kjo organizatë të ketë mandat përtej Gazës, për të zgjidhur edhe konflikte të tjera, por se “mbetet për t’u parë sa janë të qëndrueshme këto paqebërje”.

Në një intervistë për transmetuesin britanik BBC të dielën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përvoja e Kosovës tregon se paqja arrihet përmes veprimit, duke theksuar se SHBA-ja mobilizoi botën për të ndihmuar vendin gjatë luftës, ndërsa OKB-ja, sipas saj, dha vetëm fjalë pa veprime./REL

Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × two =

Previous Post

“Më tha i dhemb që ia mora Prishtinën”, Përparim Rama zbulon bisedën me Albin Kurtin

Next Post

Hetime ndaj tenderit afër 400 mijë euro/ Ekoregjioni: Kryeshefi Shala ndodhet në Itali për arsye familjare

Advertisement