Dark Mode Light Mode

Rama i drejtohet Kurtit: Zhbllokoni Unazën e Prishtinës, rrezikohen mbi 82 milionë euro grant

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka drejtuar një letër të hapur Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar zhbllokimin urgjent të projektit të Unazës së Prishtinës, të cilin e ka cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe vendin.

Rama thekson se, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës, projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror për më shumë se katër vjet, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe duke dëmtuar interesin publik.

Në letrën e tij, Rama rikujton deklaratat publike të kryeministrit Kurti gjatë fushatës zgjedhore, kur kishte bërë thirrje për zhbllokimin e këtij projekti, duke vlerësuar rëndësinë e tij strategjike dhe kombëtare. Sipas tij, pas shprehjes së vullnetit demokratik të qytetarëve të Prishtinës, tashmë ekziston edhe mandati institucional për të ecur përpara pa vonesa të mëtejshme.

Advertisement

Kryetari i Prishtinës nënvizon se projekti i Unazës së Kryeqytetit është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40 për qind, ose 82.4 milionë euro, janë fonde grant të pakthyeshme. Ai paralajmëron se çdo zvarritje institucionale rrezikon drejtpërdrejt humbjen e këtyre mjeteve.

“Ky projekt është pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor dhe përbën një prioritet strategjik kombëtar, jo lokal. Humbja e mbi 82 milionë eurove grant do të ishte një dëm i madh për Republikën e Kosovës dhe do të cenonte seriozisht kredibilitetin institucional të vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në letër.

Në emër të qytetarëve të Prishtinës, Rama kërkon që Qeveria në detyrë të Kosovës të zhbllokojë menjëherë të gjitha pengesat administrative dhe institucionale që po e pengojnë realizimin e projektit dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të tjera.

Ai thekson se Unaza e Prishtinës nuk është projekt politik dhe nuk i shërben asnjë partie apo mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, mobilitetit urban, ekonomisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Është koha që Unaza e Prishtinës të zhbllokohet dhe interesat e qytetarëve të vendosen mbi çdo kalkulim politik”, përfundon letra e kryetarit Rama.

Në një letër publike drejtuar shefit të qeverisë, ai ka ironizuar me deklaratën e Albin Kurtit në Davos të Zvicrës se ai ka qeverisur “filozofikisht”.

“Në emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkoj publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, këtë projekt nacional ta fus në cilindo cep të “trekëndëshit” Kant, Mill, Aristotel të qeverisjes, por ta zhbllokojë! Kërkojmë që menjëherë të zhbllokohen gjitha pengesat administrative dhe institucionale që po e pengojnë realizimin e Unazës së Prishtinës dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme”, shkruan Rama.

Kurti ka folur para pak ditësh në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke përshkruar qeverisjen e tij në Kosovë si “filozofike”.

“Në qeverisjen tonë, kombinuam drejtësinë normative kantiane (morali si burim i veprimit) me utilitarizmin e John Stuart Mill (lumturi maksimale për shumicën), duke i integruar këto në vendimmarrje dhe marrëdhënie me njerëzit. Për zyrtarët shtetërorë, ndoqëm etikën e virtytit të Aristotelit, duke theksuar rëndësinë e udhëheqësve të virtytshëm në pozita kyçe, por gjithmonë të lidhur me popullin. Ky “trekëndësh” Kant–Mill–Aristoteli u zbatua me sukses në politikëbërje dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, duke treguar që ishte i dobishëm”.

Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × three =

Previous Post

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës: Mbrojtja e Thaçit synon të dëshmojë mungesën e qëllimit kriminal

Next Post

25 të vdekur pas rrëshqitjeve të dheut në Indonezi, dhjetëra persona të zhdukur

Advertisement