Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e së premtes në Sllatinë të Fushë Kosovës, ku një person është gjetur i mbuluar në gjak dhe në gjendje të rënduar shëndetësore.
Burime të besueshme bëjnë me dije se rreth orës 15:30, Policia ka pranuar informacion se në rrugën e Pejës, afër Villa Motel “Pisha”, dyshohej për një person pa shenja jete.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se viktima kishte shenja jete, por ishte i gjakosur rëndë. Aty ka ndërhyrë edhe ekipi i QKMF-së, i cili i ka ofruar ndihmën e parë dhe më pas e ka transportuar për trajtim të mëtejmë në QKUK.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, viktima dyshohet se është sulmuar me mjet të mprehtë, duke pësuar lëndime në pjesën e fytit dhe kokës, ndërsa gjendja e tij raportohet të jetë e rëndë dhe pa vetëdije.
Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se nga pamjet e kamerave të sigurisë, dyshohet se viktima kishte shkuar në lokacion me veturën e tij, së bashku me një person të panjohur, identiteti i të cilit ende nuk dihet dhe që ndodhet në arrati. Në momentin kur Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, vetura nuk ka qenë më aty.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve, forenzika, NJHP dhe Prokurori kujdestar, ndërsa rasti fillimisht ishte iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, por më pas, pas konsultimeve me Prokurorinë, është rikualifikuar si “Vrasje në tentativë”.
Hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.