Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim se ligjëratat që lidhen me Gjykatën Speciale nëpër shkolla në Kosovë mund të jenë përpjekje për të ndikuar opinionin publik dhe nxënësit kundër UÇK-së dhe ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë, duke paralajmëruar se këto veprime mund të shërbejnë si “fushatë” për krijimin e një terreni kundërshtues ndaj luftës çlirimtare.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha për EO se është i befasuar nga zhvillimet dhe se sipas tij një veprim i tillë është i papranueshëm.
“Na ka ardhur befasi, sinqerisht nuk e kemi pritur që ndodh që një Gjykatë Speciale apo një Gjykatë që është e njëanshme, ju e dini që ajo është edhe një Gjykatë që nuk e kemi pranuar kurrë dhe nuk do ta pranojmë kurrë, që shkon dhe bën fushatë nëpër shkolla. Kjo ka ndodhur për herë të parë, unë nuk kam dëgjuar më herët, unë nuk e di se si drejtori i shkollës e ka pranuar ata përfaqësues të asaj gjykate që kanë shkuar dhe kanë bërë fushatë në shkolla. Ne nuk e dimë a kanë bërë fushatë anti-UÇK apo fushatë kundër UÇK dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe kundër atyre që janë në Hagë, presidentit dhe të tjerët. Apo janë duke përgatitur një terren që ta bindin opinionin, ku tash kanë filluar që të shkojnë edhe te fëmijët dhe nëpër shkolla që dëshirojnë me i bind edhe fëmijët me i kthy kundër UÇK-së”, tha ai.
Gucati u bëri thirrje shkollave që të mos pranojnë aktivitete të tilla dhe kërkoi që autoritetet komunale të marrin masa ndaj drejtuesve të institucioneve arsimore që, sipas tij, kanë lejuar këto ligjërata.
“Janë duke përgatitur ndonjë terren, me siguri për ne është e papranueshme, ne e dënojmë si akt të tillë. Ju bëj apel gjitha shkollave në Kosovë që mos t’i pranojnë gjykatën speciale që të bëjë fushatë apo ligjërata nëpër shkolla tona në Kosovë askund. Është mirë kryetari i komunës që të marrë masa ndaj atij drejtori, nuk po them me suspenduar nga puna, larg asaj, por me marrë masa disiplinore ndaj tij, kënd e ka pyetur, kush i ka dërguar atij. Që të japë llogari edhe ai, sepse atij nuk i kanë pikur nga qielli, dikush e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë le t’i pranojë përfaqësuesit e Gjykatës Speciale që të shkojnë në shkollën “Xhevdet Doda” me mbajt ligjërata apo me bërë fushatë në shkolla”, tha ai.
Ai bëri thirrje që me këtë çështje të merret edhe Ministria e Arsimit. Gucati komentoi edhe reagimin e një nxënësi lidhur me këtë çështje.
“Unë besoj që edhe nga Ministria e Arsimit edhe nga drejtorit e arsimit nëpër komuna, kush është ajo organizatë joqeveritare që organizon organizime të tilla dhe shkon në shkolla. Këta nuk kanë pyetur fare hiq, do të thotë drejtori e ka bërë krye në veti, pa pyetur drejtorin komunal. Mua më erdhi mirë nga ai nxënës që e shkruan, që në gjuhën shqipe i bie që ka kërkuar lirimin për presidentin dhe të tjerët. Më vjen mirë prej atij djali shumë, se ai nxënës është për meritë, me siguri ai ka dikë në familje pjesëtar të UÇK-së. Ndoshta tash kanë me sulmu, siç kanë me sulmu neve në Facebook, kanë me sulmu atë djalin në ‘Facebook’. Ai ka kallëzuar karakterin e vetë që është shqiptar, që e do vendin e vetë, që e do UÇK-në”, tha ai.
Ndërkohë Gjimnazi “Xhevdet Doda” ka reaguar lidhur me, siç i ka quajtur, disa informacione të pasakta që po qarkullojnë në opinionin publik, duke sqaruar se në ambientet e saj nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.
Sipas reagimit zyrtar të shkollës, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon aktivitete edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.
Shkolla thekson se qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme dhe edukative.
“Në ligjëratë janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative. Çdo interpretim apo pretendim që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar”, thuhet në reagim.
Tutje, shkolla bën të ditur se organizata YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla të mesme dhe fakultete në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.
Në reagim sqarohet gjithashtu se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për këtë aktivitet dhe se autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH).
Në fund, shkolla kërkon ndjesë për çdo shqetësim apo keqkuptim të shkaktuar te nxënësit, prindërit dhe opinioni publik, duke garantuar se në të ardhmen do të ketë kujdes të shtuar në vlerësimin dhe miratimin e aktiviteteve të ngjashme.
“Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik”, përfundon reagimi.