Sekretari amerikan i Shtetit flet për “epokë të re” në menaxhimin e konflikteve, ndërsa Trump pretendon përparim në Lindjen e Mesme dhe në luftën Rusi–Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbajtur një fjalim pas themelimit të Bordit të Paqes në Davos të Zvicrës, ceremoni në të cilën ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Duke folur për situatën në Gaza, Rubio tha se presidenti Donald Trump kishte “vizionin dhe guximin për të ëndërruar të pamundurën” për një problem që, sipas tij, shumëkush e kishte konsideruar të pazgjidhshëm. Ai theksoi se shumë nga institucionet që “kanë shërbyer për më shumë se 70 vjet” nuk kishin qenë në gjendje të ofronin zgjidhje efektive.
Sipas tij, Bordi i Paqes përfaqëson një “epokë të re” dhe një “fazë të re” në përpjekjet për ndërtimin e paqes, duke e përshkruar si një model për pjesën tjetër të botës. Rubio shtoi se vizioni për të ardhmen e Gazës është “fati ynë”, nëse investohen koha dhe përpjekjet e nevojshme.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump deklaroi se “tani kemi paqen në Lindjen e Mesme”, duke përsëritur pretendimin e tij se ka zgjidhur tetë luftëra dhe duke paralajmëruar se “një tjetër po vjen shumë shpejt”.
Ai iu referua luftës Rusi–Ukrainë, duke thënë se ishte një konflikt që mendonte se do të ishte i lehtë për t’u zgjidhur, por që rezultoi më i vështirë. “29 mijë njerëz, kryesisht ushtarë, vdiqën muajin e kaluar”, tha Trump, duke e cilësuar bilancin si “të tmerrshëm”.
Në fund, ai shtoi se është duke u bërë “shumë përparim” në bisedimet e paqes, duke përsëritur deklaratat e bëra më herët gjatë ditës nga i dërguari amerikan, Steve Witkoff.




