Në rastin e 20-vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, liderët kanë përkujtuar figurën e tij të shquar dhe trashëgiminë e tij në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me familjen e Rugovës, ka bërë homazhe tek varri i tij në Velani, duke theksuar se ai e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Presidenti Rugova e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci. Kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tanë strategjik brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq që sot mbetet dritë në udhërrëfyesin për gjithsecilin prej nesh që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike në familjen ku Kosova dhe populli i saj e ka vendin. Nderimi për presidentin Rugova do të jetë i përjetshëm dhe vizioni i tij do të rrojë për aq kohë sa do të rrënojë dhe Kosova, do të rrojë përjetësisht”, ka deklaruar Osmani.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vendosur kurora lulesh te varri i Rugovës, duke e nderuar në këtë përvjetor të veçantë. Ai tha se Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave dhe kjo obligon të sillen me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun.
“Sot, në 20-vjetorin e largimit të atit themeltar të Republikës së Kosovës, e vendit tonë, shtetit tonë, nderojmë Ibrahim Rugovën. Njeriun i cili jo vetëm realizoi një ëndërr historike të popullit të Kosovës për liri, pavarësi, demokraci, por krijoi një projekt madhor, më të madhin ndër shqiptarët e Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, dhe si i tillë na obligon edhe sot të sillemi me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun tonë”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Rugovën me mirënjohje të përhershme:
“Me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova pata nderin të bashkëpunoj në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme të shtetndërtimit. Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme. Me vizionin e tij shtetformues, ai i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën, veprime këto që i paraprinë pavarësisë dhe që vazhdojnë të mbeten themel i vizionit tonë si shtet”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.




