Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet ndaj Arianit Sllamnikut. Ky vendim vjen pas raportimeve tronditëse se ai pretendonte “shërimin e autizmit” duke përdorur metoda të rrezikshme dhe barna që përdoren për kafshë.
Veprimtaria e Arianit Sllamnikut, i njohur për publikun kryesisht për teoritë e tij konspirative, tashmë ka kaluar në lupën e organeve të drejtësisë.
Pas interesimit të mediave, Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar zyrtarisht se kanë nisur veprimet e para hetimore.
“Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Gjilan do të ju mbajë të informuar lidhur me veprimet tjera”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Sllamniku raportohet se prej më shumë se një viti ushtronte një veprimtari të dyshimtë, duke u premtuar prindërve të fëmijëve të spektrit autik “shërim” të plotë
Mirëpo, ajo që ka alarmuar opinionin dhe prindërit janë metodat e përdorura.
Sipas raportimeve, në raportet që ai u shfaqte prindërve, u shkruante atyre që t’u jepnin fëmijëve barna të destinuara për kafshë.

