Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca për ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Në këtë seancë, prokurorja e rastit, Fikrije Zejnullahu, ka thënë se kanë prova që e dëshmojnë se Nagip Krasniqi dhe Dejona Mihaili kishin komunikime të shpeshta.
“Prokuroria ka mjaftë prova materiale, që Nagipi me disa zyrtarë të Vetëvendosjes, më konkretisht me Dejona Mihailin kishin komunikime të shpeshta. Nagip Krasniqi asaj i ka dërgu projekte dhe Dejona në mënyrë të kundërligjshme ka dhënë opinione dhe ka vendos për to”, ka thënë Zejnullahu në seancë.
Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).




