Pas rezultatit të dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mospajtimet dhe pakënaqësitë brenda partisë kanë dalë në shesh. Dorëheqjet e para nga pozitat udhëheqëse kanë filluar.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ofruar dorëheqjen e tij, e cila pritet të aprovohet ose jo nga Kuvendi i partisë, që do të mbahet së shpejti. Në këtë kontekst, Hykmete Bajrami, një nga figurat kryesore në parti, dha gjithashtu dorëheqjen nga pozita e nënkryetares dhe kërkoi dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut, duke u thirrur në standardet e përgjegjësisë politike që vetë LDK-ja i ka ndërtuar ndër vite.
Përmes një njoftimi në Facebook, Bajrami theksoi se ky veprim nuk është personal apo emocional, por rrjedhojë e respektimit të parimeve të partisë dhe nevojës për reflektim pas rezultateve zgjedhore.
Ajo vuri në dukje se lidershipi aktual ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr dhe se zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme për të shmangur përqendrimin e pushtetit tek individi apo një grup i vogël.
“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme. Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite. Përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës.”, njoftoi ajo.
Bajrami gjithashtu theksoi rëndësinë e vendosjes së interesit të Kosovës mbi interesin partiak dhe falënderoi qytetarët që i besuan mandatet e saj politike. Ajo konfirmoi se do të vazhdojë angazhimin në Kuvendin e Kosovës si deputete e LDK-së, duke kontribuar brenda Grupit Parlamentar të partisë.
Nuk vonoi shumë dhe Abdixhiku, iu kundërpërgjigj Bajramit. Ai theksoi se vendimi përfundimtar tani i përket Kuvendit të LDK-së dhe anëtarësisë së saj, duke e pozicionuar veten jo si mbrojtës të pozicionit, por si garant të rregullit dhe dinjitetit brenda partisë.
Ai tha se nuk ka çka ofron në shumë se dorëheqja.
“Kam dëgjuar dhe jemi dëgjuar me njëri-tjetrin me vëmendje. Çdo zë, çdo kritikë dhe çdo shqetësim, me orë të tëra. Pesë orë e gjysmë. Në fund kemi dalur me përgjegjësi të plotë dhe me dinjitet para qytetarëve për të shprehur jo mendimin e një individi, as timin, por të shumicës dërmuese, ashtu siç u pajtuam pas pesë orë diskutimi. Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak. Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së.”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndonëse dje për pesë orë një “rreth i ngushtë” u mblodhën dhe e diskutuan situatën në parti, të paktë kanë qenë ata që kanë folur publikisht.
Zyrtarë të lartë të kësaj partie, nuk kanë dhënë qëndrimin e tyre, veç një anëtar i Kryesisë, kryetari i Isotgut Ilir Ferati u pozicionua krah Abdixhikut.
Pas një mbledhje pesë orëshe, të martën e 13 janarit, u bë e ditur se së shpejti do të mblidhet Kryesia e LDK-së në një takim zyrtar, e më pas Kuvendi.
Nëë zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK pësoi një rënie të madhe. Kjo parti arriti të fitojë vetëm 13,57% të votave. Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK ka humbur pesë ulëse në Kuvendin e Kosovës.



