Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas rezultateve të dobëta zgjedhore të partisë, duke theksuar se ky veprim buron nga standardet politike që vetë LDK-ja i ka ndërtuar ndër vite.
Në mbledhjen e djeshme të LDK-së, Bajrami ka deklaruar se, në përputhje me të njëjtin standard, ajo ka ofruar edhe dorëheqjen e saj të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë. Sipas saj, kushdo që merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme.
Ajo ka theksuar se ky vendim nuk është personal apo emocional, por një akt politik në funksion të ruajtjes së parimeve dhe përgjegjësisë brenda partisë.
Bajrami ka paralajmëruar gjithashtu për, siç e ka quajtur ajo, rrezikun e përqendrimit të pushtetit absolut te një parti dhe te një person i vetëm, duke shtuar se për pesë vite rresht interesat personale dhe partiake janë vendosur mbi interesin e Kosovës.
“LDK-ja nuk ka qenë kurrë vetëm një parti politike, por mbrojtëse e shtetit, institucioneve, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Kjo është e mundur vetëm kur interesin e LDK-së dhe të Kosovës e vendosim para interesave personale e partiake”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka vlerësuar se pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin dhe se zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme, duke shtuar se asnjë proces tjetër nuk mund ta nxjerrë LDK-në nga situata aktuale.
Në fund, Bajrami ka falënderuar 126 mijë e 102 qytetarët që kanë votuar LDK-në, si dhe 57 mijë e 153 votuesit që i kanë besuar asaj personalisht. Ajo ka konfirmuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik si deputete në mandatin e saj të shtatë në Kuvendin e Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
“LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse një LDK e fortë i duhet Kosovës”, ka përfunduar ajo.