Presidentja Vjosa Osmani po përballet me dy kërkesa për shkarkime në diplomaci. Njëra nga kërkesat ka ardhur prej Qeverisë, kurse tjerat prej PDK-së.
Pas raportimit të gazetës Nacionale se Konsullin e Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, e kishte pëlqyer një shkrim ku ish-presidenti Hashim Thaçi akuzohej për vrasje dhe plaçkitje, PDK-ja ka kërkuar shkarkimin e tij.
Disa zyrtarë të lartë të PDK-së i kanë kërkuar nga presidentes të veprojë në shkarkimin e konsullit Gashi.
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se diplomatët dhe konsujt nuk janë aktivistë partie.
“Pëlqimi publik i një shkrimi denigrues dhe akuzues ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga një përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës nuk është rastësi dhe as qëndrim individual. Ai pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje, ku sulmi ndaj figurave të historisë shtetformuese është kthyer në mjet politik. Kur përfaqësues zyrtarë të shtetit përdorin ose mbështesin gjuhë përçarëse ndaj Presidentit që ka shpallur Pavarësisnë e Kosovës, kjo nuk është kritikë politike, është dëmtim i drejtpërdrejtë i imazhit dhe interesit shtetëror. Aq më tepër kur kjo ndodh ndërkohë që ai prej vitesh përballet me drejtësinë në Hagë për Kosovën, jo për veten”, ka shkruar ajo, duke shtuar se shkarkimi i tij duhet të ndodh në mënyrë të menjëhershme.
“Diplomatët dhe konsujt nuk janë aktivistë partie. Ata janë fytyra e Kosovës në botë dhe mbajnë përgjegjësi të veçantë për gjuhën, qëndrimet dhe mesazhin që përcjellin. Qëndrime të tilla prodhojnë pasoja serioze dhe dëmtojnë interesat e vendit. Për këto arsye, ky konsull nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në emër të dinjitetit shtetëror dhe interesit publik, duhet të ndodhë shkarkimi i tij i menjëhershëm. Kosova meriton përfaqësim dinjitoz, profesional dhe unifikues në ambasadat dhe konsullatat e saj, kudo në botë”, ka shkruar ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA.
Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që ta tërheq dekretin për Konsullin e Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi.
“Kur diplomacia kalon të gjithë kufijtë e servilitetit politik dhe shkon deri aty sa të mbështetet edhe propaganda kundër një ish-presidenti të vendit, i cili po mbahet peng nga një gjykatë politike, durimi merr fund. Ky lloj diplomati nuk i duhet Kosovës. Të bëhet tërheqje e menjëhershme nga misioni dhe të bëhet ngritja e Komisionit Disiplinor ndaj tij. Presidente, nëse vetëm pak ke dinjitet, vepro dhe tërhiqe dekretin që e ke dekretuar këtë servil”, ka shkruar Musliu.
Me kërkesë për shkarkimin e një diplomati, presidentja Osmani është përballur edhe në fund të vitit të kaluar.
Në nëntor të vitit 2025, Qeveria e Kosovës i ka dërguar Presidentes Vjosa Osmani një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të Vehbi Miftarit, Shef i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan.
Kërkesa në fjalë është nënshkruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Aty pretendohet se Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, “sjellje të papranueshme” dhe “shkelje të etikës profesionale”
“Fillimisht, më lejoni t’ju shpreh konsideratat e mia më të larta dhe t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona. Nëpërmjet kësaj shkrese, ju lutem të pranoni arsyetimin lidhur me kërkesën për lirimin nga detyra të Shefit të Misionit të Posaçëm në Vatikan, z. Vehbi Miftari. Lirimi nga detyra propozohet për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të paautorizuara të Shefit në fjalë, sjellje dhe veprime që përbëjnë shkelje të etikës profesionale dhe dëmtojnë integritetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-207, si dhe me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm, Nr. 02/2009, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2014. Mbete mi në dispozicion për të ofruar çdo informacion shtesë mbi arsyetimin e kësaj kërkese, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në kërkesën e MPJD-së.
Vehbi Miftari për disa vite ka qenë këshilltar politik i presidentes Vjosa Osmani.
Në janar të vitit 2024, Miftaraj ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit për t`u emërua Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan.




