Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se LDK-ja nuk ka vendosur ende se cili do të jetë qëndrimi i saj kur të vijë koha për zgjedhjen e presidentit të ri.
Muhaxheri la të kuptohet se kryesia do ta përkrahë qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se emrat e përveçëm për postin e presidentit nuk duhet t’u imponohen deputetëve dhe se, për votimin e udhëheqësit të shtetit, konsensusi është i domosdoshëm.
“Pas mbledhjeve që do t’i mbajë LDK-ja dhe koordinimeve që do t’i kemi, do të vendoset se çfarë qëndrimi do të mbajmë për çështjen e presidentit. Zyrtarisht nuk ka asgjë. Me siguri kryesia e LDK-së e përkrah qëndrimin e Abdixhikut.”
Muhaxheri tha se është përgjegjësi e partisë fituese LVV-së që të formojë institucionet e reja.
“Nuk varet nga ne kjo. Kryetari i partisë fituese i ka votat për ta formuar Kuvendin dhe institucionet e tjera.”, tha ai.