Hisen Berisha e ka kritikuar Lumir Abdixhikun për deklaratën e tij të fundit.
Berisha ka thënë se ka pritur që të reagonte dikush nga LDK.
Ish-deputeti i PDK-së e ka quajtur kryetarin e LDK-së si njeri sorosian, të njëjtë me Kurtin e Osmanin.
Postimi i plotë pa ndërhyrje”
“Lumir Abdixhiku e paske kaluar vijën, rëndë dhe pa kthim
Ke shkuar larg. Shumë larg. Dhe ke shkelur rëndë me atë deklaratë, Lumir Abdixhiku.
Prita dy ditë pa reaguar. Jo nga hezitimi, por nga shpresa se do të flisnin vëllezërit e mi të armës, ata që ende janë brenda asaj shtëpie politike që dikur mishëronte vizionin për pavarësi dhe shtet të Kosovës.
Prita që nga brenda LDK-së të vinte një reagim kundër një gjuhe që fyen luftën, përçmon sakrificën dhe godet themelet mbi të cilat u ndërtua ky shtet.
Por heshtja që mbretëroi brenda asaj shtëpie, dikur rugoviane, tashmë nuk është më thjesht devijim filozofik. Ajo heshtje është rreshtim. Është bërë një me kundërshtarët e luftës, të lirisë, të pavarësisë dhe të vetë shtetit të Kosovës, një shtet që u ngrit mbi parimet rugoviane të lirisë, barazisë dhe demokracisë.
Përdorimi i termit “mercenar”, në kuptimin e tij të pastër luftarak, person që lufton për para, pa ndjenjë detyre kombëtare, patriotike, atdhetare apo kushtetuese, nuk është lapsus gjuhësor. Është zgjedhje politike. Është akt i qëllimshëm. Është e shtënë me pushkë gjuetie, jo në thëllëza, por në shqiponjat e lirisë.
Dhe këtu nuk ka rëndësi konteksti. Nuk ka asnjë dilemë se ti, Lumir Abdixhiku, bashkë me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, përbëni të njëjtën strukturë ideologjike sorosiane, e cila ka për synim stërkeqjen e shtetit të Kosovës dhe zhvendosjen e tij drejt nostalgjisë jugosllave.
Prandaj edhe rikthimi i luftës politike kundër figurave shtetformuese, si Ismailqemal Vlora kosovar, apo Hashim Thaçi, shqiptari i Kosovës, është dëshmi besnikërie para padronëve tuaj ideologjikë dhe një abuzim i hapur me vetëdije stokholmiane për t’u bërë krah politik dhe qeverisës në procesin e zhbërjes së shtetit.
Ky mision mbi trinom tipik pravosllav, Kurti, Osmani, Abdixhiku, u dëshmua qartë edhe në zgjedhjet e shkurtit 2025, kur refuzuat bashkimin e së djathtes popullore dhe të djathtës konservatore për ta bërë qeverinë. Por për këtë, rugovistët e vërtetë, dishepujt e presidentit historik Ibrahim Rugova, dhanë verdiktin e tyre më 28 dhjetor 2025.
Ajo që kam pritur nga vëllezërit e armës brenda subjektit historik të Presidentit Rugova, luftëtarë të lirisë në radhët e UÇK-së, ishte që ti të mos guxoje kurrë më të shkelje në zyrat e LDK-së, përveçse për të dhënë dorëheqje dhe për t’iu bashkuar hapur, kolaboracionisht, ekipit sorosian Kurti-Osmani & Co., që sot po e mbajnë peng të ardhmen e Kosovës.
Por historia nuk rishkruhet.
Çdo epokë i ka heronjtë e vet. Ashtu siç i ka për nder e lavdi, i ka edhe për faqe të zezë dhe tradhti.
Vitet ’90 filluan me heroin vizionar Ibrahim Rugova dhe kulmuan me Kryeheroin Hashim Thaçi, me Kryekomandantët Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe dhjetëra figura të tjera të lavdishme, të rëna dhe të gjalla, të luftës për liri.
Prandaj, rifillimi i kësaj “lufte” kundër së djathtes konservatore dhe luftëtarëve, me automatizëm ju rreshton krah atyre që ditën e çlirimit e kanë 14 shkurtin dhe shtetin e Kosovës e shohin vetëm brenda ofertës së Millosheviçit për “Republikën e tretë”, ku nuk ka vend për Lëvizjen Rugoviane.
Me këtë doktrinë politike, qarqe të caktuara brenda jush, bashkë me Vjosa Osmanin, po e çojnë me sukses LDK-në drejt zhbërjes.
Nëse rifilloni me këtë propagandë, atëherë vazhdoni në misionin tuaj. Pritjet ishin që të reflektoni, që t’i bashkojmë forcat për ta shpëtuar shtetin nga zhbërësit që erdhën me revolucionin e “shamijave të kuqe”.
Por mos harroni një gjë: ky vend i ka ende gjallë dalëzotësit e vet. Ndoshta në përqindje po aq sa në vitet 1998/99, kur ishim vetëm 0.28% e dy milionëve, por të mjaftueshëm për ta bërë sërish dallimin.
(Sepse mjeti për mbrojtjen e vlerave themelore të shtetësisë, integriteti territorial dhe sovraniteti politik, është arma, e jo vota.)
E pra jo, Lum. Ata nuk janë mercenarë. Ata janë themeli mbi të cilin qëndron ende ky shtet, pavarësisht jush”.