Një video e re, e filmuar nga një agjent i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE), është publikuar nga mediat amerikane ku tregon momentet para se ai të qëllonte për vdekje një grua në Minneapolis.

Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Videoja tregon Renee Nicole Good, 37 vjeçe, të ulur në timonin e automjetit të saj, duke komunikuar me agjentin. Në sediljen e pasme të makinës ndodhet një qen. Ndërkohë një grua tjetër, Becca Good, shihet duke filmuar ndërveprimin nga rruga.

Situata përshkallëzohet kur një agjent tjetër i ICE-së i kërkon Good-it të dalë nga makina. Brenda disa sekondash kaotike, automjeti lëviz prapa dhe më pas përpara, ndërsa agjenti që po filmon gjendet përpara mjetit. Kamera ngrihet drejt qiellit dhe dëgjohen të shtëna me armë zjarri. Makina më pas devijon dhe përplaset anash rrugës.

Administrata amerikane ka deklaruar se agjenti veproi në vetëmbrojtje, duke pretenduar se Good tentoi ta shtypte atë me makinë, duke e cilësuar incidentin si “terrorizëm të brendshëm”. Zëvendëspresidenti JD Vance dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e kanë mbrojtur publikisht veprimin e agjentit.

Në të kundërt, kryetari i bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, e ka quajtur këtë version “të pavërtetë”, duke theksuar se pamjet nuk tregojnë se gruaja paraqiste rrezik të menjëhershëm për oficerët.

Bashkëshortja e viktimës deklaroi se çifti ndodhej në vendngjarje për të mbështetur fqinjët dhe e përshkroi Renee Good si një nënë të tre fëmijëve, e njohur për mirësinë dhe dhembshurinë e saj. Vdekja e saj ka nxitur protesta në disa qytete të SHBA-së.

Agjenti që hapi zjarr është identifikuar si Jonathan Ross, një agjent veteran i ICE-së. Sipas autoriteteve federale, ai u plagos dhe u trajtua në spital. FBI-ja po heton incidentin, ndërsa autoritetet e Minesotës kanë njoftuar hapjen e një hetimi paralel pas përjashtimit nga hetimi federal.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka aktivizuar Gardën Kombëtare për të garantuar rendin gjatë protestave, ndërsa tensionet mes autoriteteve federale dhe atyre shtetërore vijojnë të rriten.

SHPËRNDAJE