Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës në fshatin Dars, njësia administrative Klos, ku një mjet tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit.
Nga hetimet rezultoi se drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja ndërsa nuk ndihmoi pasagjerin, i cili rezulton i zhdukur pasi është marrë nga rrjedha e ujit. Policia bëri të mundur identifikimin e drejtuesit të mjetit, A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos, i cili u vu në pranga.
24-vjeçari dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja dhe nuk ka dhënë ndihmën e nevojshme për pasagjerin që ndodhej brenda automjetit. Testi i alkoolit ka rezultuar pozitiv, duke treguar se drejtuesi i mjetit drejtonte në gjendje të dehur.
Nga hetimet dyshohet se pasagjeri, J. K., 30 vjeç, gjithashtu banues në Fullqet, është marrë nga rrjedha e përroit dhe rezulton i zhdukur.
Në vendngjarje po kryhen kërkime intensive nga polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit për gjetjen e 30-vjeçarit.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.














