Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke theksuar se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet plotësisht dhe pa hezitim.
Në një postim publik, Agani ka bërë të ditur se, edhe pse nuk ka arritur të zgjidhet deputet, mbështetja e 11.214 qytetarëve për të dhe për vizionin e tij politik përbën një përgjegjësi të madhe morale dhe publike, e cila, sipas tij, nuk përfundon me mbylljen e kutive të votimit.
Ai ka vlerësuar se zgjedhjet kanë dërguar një mesazh të qartë për nevojën e maturisë politike, dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit ndërpartiak, veçanërisht në momente kur vendimmarrja institucionale kërkon konsensus të gjerë. Sipas Aganit, politika nuk duhet të reduktohet vetëm në mandate apo aritmetikë parlamentare, por duhet të shihet si përgjegjësi ndaj stabilitetit institucional dhe interesit afatgjatë të shtetit.
Agani ka theksuar se do të vazhdojë me përkushtim punën për reformimin dhe forcimin e Partisë së Drejtësisë, duke e cilësuar atë si një subjekt politik të ndërtuar mbi parime konservatore, përgjegjësi publike dhe vizion shtetformues. Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për alternativa serioze dhe aktorë politikë që vendosin interesin shtetëror mbi kalkulimet afatshkurtra partiake.
Postimi i plotë:
DEKLARATË PUBLIKE
Procesi zgjedhor ka përfunduar dhe vullneti i qytetarëve meriton respekt të plotë, pa asnjë hezitim. Edhe pse personalisht nuk arrita të zgjidhem deputet, mbështetja e 11.214 qytetarëve për mua dhe për vizionin politik që përfaqësoj mbetet një përgjegjësi e madhe morale dhe publike, që nuk përfundon me mbylljen e kutive të votimit.
Këto zgjedhje dërguan një mesazh të qartë: Kosova ka nevojë për më shumë maturi politike, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërpartiak, veçanërisht në momentet kur vendimmarrja institucionale kërkon konsensus të gjerë. Politika nuk është vetëm çështje mandatesh apo aritmetike parlamentare; ajo është përgjegjësi ndaj stabilitetit institucional dhe interesit afatgjatë të shtetit.
Në këtë frymë, do të vazhdoj me përkushtim punën për reformimin dhe forcimin e Partisë së Drejtësisë, si subjekt politik i ndërtuar mbi parime konservatore, përgjegjësi publike dhe vizion shtetformues. Kosova ka nevojë për alternativa serioze dhe për aktorë politikë që dinë të vendosin interesin shtetëror mbi kalkulimet afatshkurtra partiake.
Në rrethanat e ndjeshme politike që e presin vendin, përfshirë procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, mbetem i përkushtuar që, në kuadër të rolit tim politik dhe institucional, të kontribuoj në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje konsensuale, që garanton funksionimin normal të institucioneve, respektimin e Kushtetutës dhe unitetin e brendshëm të vendit. Kosova ka nevojë për stabilitet, jo për bllokada institucionale apo përplasje politike që e dëmtojnë besimin e qytetarëve.
Angazhimi im politik do të mbetet i fokusuar në çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, me theks të veçantë në shëndetësinë publike, shëndetin mendor të rinisë, forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin institucional. Politika matet me përgjegjësi, qartësi dhe gatishmëri për të kontribuar në momentet kyçe për vendin, pavarësisht pozitës formale.
Faleminderit sinqerisht për besimin, mbështetjen dhe korrektësinë qytetare. Kjo rrugë vazhdon me përgjegjësi, maturi dhe përkushtim ndaj Kosovës.
Ferid Agani
Kryetar i Partisë së Drejtësisë












