Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat janë fituar nga Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se institucioni është tashmë i gatshëm për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

“Por, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka theksuar Elezi.

Grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin votat me postë, proces që përfundoi në orën 02:00 të 9 janarit. Pikërisht për këto vota, në PZAP është dorëzuar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar shfuqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur në Kosovë me postë.

Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja e udhëhequr nga Albin Kurti ka shënuar rezultatin më të mirë ndonjëherë në zgjedhje, duke marrë 51.11 për qind të votave, respektivisht 486.994 vota, që i sigurojnë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, është kandidati më i votuar në vend, duke marrë 404.023 vota.

Partia e dytë në zgjedhje është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave, që përkthehen në 22 mandate në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, duke siguruar 15 vende në organin ligjvënës, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind të votave dhe do të përfaqësohet me gjashtë deputetë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e afërt me Beogradin zyrtar, do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga ky komunitet do t’i takojë Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit. Ndërkohë, dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë mes disa partive dhe koalicioneve.

SHPËRNDAJE