Detaje të rënda kanë dalë nga gjetjet e auditorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të cilat, sipas burimeve të besueshme, të afërta me hetimin, kanë shërbyer si bazë kyçe për ndërhyrjen e organeve të drejtësisë dhe arrestimin e ish-menaxhmentit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në skemën e dyshuar të keqpërdorimeve financiare.
Sipas këtyre gjetjeve, auditori ka konstatuar parregullsi serioze, të përsëritura dhe sistematike në trajtimin dhe pagesën e dëmeve për një periudhë disavjeçare, duke evidentuar shkelje të rënda procedurale dhe financiare, përfshirë:
-Pagesa në vlerë mbi 1 milion euro pa dosje dëmi, pa dokumentacion bazë dhe pa evidencë zyrtare në sistemin e BKS-së;
-Kompensime të dyfishta për të njëjtat aksidente, si në nivel vendor ashtu edhe përmes mekanizmave të regresit ndërkombëtar;
-Dëme të paguara pa raport policor, pa vendime të komisioneve përkatëse dhe pa ekspertizë profesionale;
-Marrëveshje jashtëgjyqësore të dyshimta, të lidhura pa bazë ligjore dhe në kundërshtim të hapur me procedurat e brendshme;
-Vlerësime të fryra të dëmeve materiale dhe jomateriale, përfshirë pagesa për invaliditet dhe dhimbje shpirtërore pa dokumentacion mjekësor valid;
-Inspektime fiktive të automjeteve, ku në shumë raste dëmet janë konstatuar vetëm përmes fotografive ose dokumenteve jozyrtare;
-Mungesë të plotë të kontrollit të brendshëm, që ka lejuar manipulime, tejkalim kompetencash dhe vendimmarrje arbitrare nga persona përgjegjës.
Burimet bëjnë të ditur se këto gjetje janë cilësuar si rrezik i lartë financiar dhe penal, duke ngritur dyshime të bazuara për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe dëmtim të buxhetit të BKS-së.
Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa nuk përjashtohet zgjerimi i listës së të dyshuarve, pasi po analizohen edhe raste të tjera me elemente të njëjta keqpërdorimi.













