Një mandat vazhdon të qëndrojë në lojë dhe mund të kalojë nga një parti në tjetrën, në bazë të trendit aktual. Sipas Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, janë edhe rreth 14 mijë vota me postë ende për t’u numëruar dhe kjo ulëse mbetet ende në lojë.
Rezultatet e përmbledhura preliminare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, tregojnë një epërsi të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, por me një ndarje mandatesh që mbetet ende e brishtë dhe e hapur për ndryshime pas numërimit të votave të mbetura me postë.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, me 99.47 për qind të vendvotimeve të numëruara, LVV prin me 50.72 për qind të votave, që përkthehet në 57 mandate.
Pas saj renditet PDK me 20.40 për qind dhe 23 mandate, ndërsa LDK ka 13.29 për qind dhe 14 mandate. AAK ka siguruar 6 mandate, ndërsa Lista Serbe 9 mandate.
Duhet theksuar se nga numërimi i votave me kusht, PDK rikthej ulësen e 23-të, kurse LDK e humbi një.
Megjithatë, sipas Eugen Cakollit nga KDI, ndarja aktuale e mandateve është ndikuar ndjeshëm nga votat me kusht, ku PDK ka performuar dukshëm më mirë se LDK, me pothuajse dyfish më shumë vota, ndërsa LVV ka qenë pak mbi përqindjen e saj në votimin e rregullt.
Cakolli thekson se dallimi mes koeficientëve më të ndjeshëm për ndarjen e mandateve – LVV (57), PDK (23) dhe LDK (15) është vetëm rreth 10 pikë, që në terma praktikë përkthehet në vetëm disa qindra vota diferencë në nivel kombëtar, të cilat kanë qenë vendimtare për ndarjen aktuale.
“Me rreth 14 mijë vota me postë ende për t’u numëruar, mandati i fundit i të trija këtyre partive mbetet ende në lojë”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, gjasat më reale për ndryshim janë në raportin PDK–LDK, veçanërisht nëse vazhdon trendi aktual i votave me postë, çka mund t’ia rikthejë LDK-së mandatin e 15-të, duke e zbritur PDK-në në 22 mandate sërish.
Cakolli shton se LVV e ka të vështirë të arrijë mandatin e 58-të, përveç nëse shënon një performancë dukshëm më të lartë në votat me postë, rreth ose mbi 80 për qind, krahasuar me rreth 72 për qind sa ka pasur deri më tani.
Numërimi i votave me postë pritet të jetë vendimtar për finalizimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.
Në QNR ka vazhduar numërimi i pjesë së dytë të votave me postë. Bëhet fjalë për fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës.
Sipas përditësimit ët fundit të KQZ-së, deri më tani janë procesuar 86,84% prej tyre.
Nga rezultatet aktuale, Vetëvendosje prin me 72.97% apo 21,103 vota, pasuar nga LDK me 9.86% apo 2,852 vota, PDK me 9.33% apo 2,699 vota dhe AAK me 3.82%1, apo 104 vota.















