Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se në Bruksel u mirëprit nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.
Osmani ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë Bashkimi Evropian dhe se nuk ka arsye që të pengohet ose shtyhet heqja e plotë e masave.
“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian. Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani në Facebook.












