Pa një model të drejtë dhe të mençur të financimit, asnjë reformë në shëndetësi nuk mund të japë rezultate të qëndrueshme. Kështu vlerëson ish-ministri i Shëndetësisë dhe psikiatri, Dr. Ferid Agani, duke theksuar se problemi kryesor i sistemit shëndetësor në Kosovë nuk është vetëm mungesa e fondeve, por mënyra se si ato shpërndahen dhe përdoren.

Sipas Dr. Aganit, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) aktualisht financohet kryesisht në mënyrë lineare, pa lidhje të drejtpërdrejtë me shërbimin e ofruar, pa stimuj për cilësi dhe efikasitet, si dhe pa mekanizma realë të matjes së performancës. “Ky model nuk nxit përmirësim. Ai nxit mbijetesë administrative”, vlerëson ai.

Qëndrimi i Dr. Aganit është i qartë: financimi i SHSKUK duhet të kalojë nga një model pasiv në një model aktiv, të bazuar në shërbim dhe rezultate konkrete. Sipas tij, vetëm një sistem ku paratë ndjekin shërbimin dhe cilësinë mund të krijojë përmirësim real për pacientët dhe dinjitet profesional për stafin shëndetësor.

Në këtë drejtim, Dr. Agani propozon pagesë sipas shërbimit të ofruar dhe rezultateve të arritura, lidhje të drejtpërdrejtë të financimit me cilësinë dhe sigurinë e pacientit, si dhe kontraktim të qartë dhe funksional me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Ai thekson gjithashtu rëndësinë e krijimit të mundësive për kontraktim transparent me fondet e jashtme të sigurimeve shëndetësore.

Sipas tij, transparenca e plotë në shpenzime dhe motivimi financiar për performancë më të mirë janë elemente kyçe të një sistemi modern. “Ky ndryshim nuk ka për qëllim ndëshkimin e institucioneve, por krijimin e një sistemi që shpërblen punën e mirë dhe korrigjon dobësitë”, thekson Agani.

Ai nënvizon se paratë duhet të ndjekin shërbimin dhe informatën e saktë të digjitalizuar, e jo thjesht institucionin dhe deklaratat formale. Sipas tij, vetëm përmes të dhënave të besueshme dhe financimit të lidhur me performancën mund të ndërtohet një sistem shëndetësor funksional dhe i qëndrueshëm.

Dr. Ferid Agani është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me numrin 9 në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e bazuar angazhimin e tij politik në përvojën profesionale dhe në nevojën për reforma strukturore dhe financiare të thella në sektorin e shëndetësisë.

SHPËRNDAJE