Dark Mode Light Mode

Kosova ka ekzistuar edhe para LVV-së!

Shkruan Nehat Shaqiri Kohëve të fundit, disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje – përfshirë ish-ministra dhe figura të tjera të kësaj partie – kanë nisur një fushatë të vazhdueshme sikur shtetësia e Kosovës ka nisur vetëm me ardhjen e tyre në pushtet. Në deklarata publike e paraqitje mediatike, këta zyrtarë flasin sikur para tyre “askush nuk ka bërë asgjë”, sikur shteti ka qenë i paralizuar deri në momentin kur LVV-ja mori drejtimin e qeverisë. Kjo narrativë është jo vetëm e pasaktë, por edhe fyese për gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite për shtetin tonë. Kosova ka ekzistuar para LVV-së, ka ecur, është zhvilluar dhe ka avancuar që nga përfundimi i luftës. Institucionet janë ndërtuar me mund, sakrificë dhe angazhim të përbashkët – nga liderë politikë, nga administrata publike, nga aleatët ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha nga qytetarët e Kosovës. Shteti ynë nuk është krijuar në vitin 2021, dhe as nuk varet nga një parti e vetme. Kosova nuk varet nga Dejona Mihajli, nga Hekuran Murati apo nga Albin Kurti. Kosova nuk varet nga askush individualisht. Ky vend është ngritur mbi gjakun, sakrificën dhe kontributin e brezave të tërë që qëndruan ballë për ballë armikut. Dhe po aq e rëndësishme: Kosova është mbrojtur, zhvilluar dhe përfaqësuar nga qindra figura shtetërore pas luftës – deputetë, ministra, diplomatë e drejtues institucionesh – që nuk kanë lidhje me LVV-në, por kanë lënë gjurmë të rëndësishme. Prandaj, përpjekja për të fshirë këtë histori e për të paraqitur çdo sukses të Kosovës si meritë ekskluzive të një partie është e padrejtë dhe e rrezikshme. Shteti nuk ndërtohet me përvetësim meritesh, por me bashkëpunim, respekt për institucionet dhe vazhdimësi të punës. Kosova do të ecë edhe pa LVV-në në pushtet. Do të avancojë në arenën ndërkombëtare, do të forcojë aleancat dhe do t’i çojë përpara reformat, sepse vizioni i saj euroatlantik është më i madh se çdo qeveri. Rruga jonë drejt Perëndimit nuk ndalet me rotacionin politik. Kosova është e të gjithëve – e atyre që luftuan, e atyre që ndërtuan institucionet pas luftës, dhe e brezave që po e çojnë përpara sot. Politikanët vijnë e ikin. Shteti mbetet. Dhe pavarësisht këndvështrimeve partiake, Kosova do të vazhdojë rrugëtimin e saj.
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − 6 =

Previous Post

Gjykata merr vendim: I rrëzohet kërkesa Haxhi Shalës për modifikim të dënimit

Next Post

Krasniqi e LDK-së: VV-ja i ka harruar qytetarët e Kosovës, qytetari do t’i ndëshkojë me votë

Advertisement