Procesi maratonë gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ka hyrë në fazën e tij finale. Gazetari i njohur i së përditshmes prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, tha se argumentet përmbyllëse në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi janë caktuar për fillimin e vitit 2026.

Përmes një shkrimi në platformën sociale “X”, Martens ka dhënë detaje specifike mbi kalendarin e Dhomave të Specializuara, duke thënë se argumentet përmbyllëse janë planfikuar “për 9-13 shkurt 2026.”

Përveç aspektit kohor, gazetari gjerman ka ngritur edhe peshën gjeopolitike që do të ketë vendimi i Gjykatës Speciale. Sipas tij, ky verdikt shkon përtej individëve të akuzuar.

“Gjyqi i fundit i madh për krime lufte në Ballkan po i afrohet fundit. Argumentet përmbyllëse në rastin kundër ish-udhëheqësit gueril (dhe më vonë presidentit të Kosovës së pavarur) Hashim Thaçi, janë planifikuar për 9-13 shkurt 2026. Çfarëdo qoftë verdikti, ai do të ketë të bëjë edhe me NATO-n.”– shkroi ai.

SHPËRNDAJE