Partia Demokratike e Kosovës do të hyjë në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një ndryshim të rëndësishëm në skenën politike: për herë të parë pas 20 viteve, Kuvendit të Kosovës do t’i mungojë zëri i Memli Krasniqit – një nga figurat më të artikuluara, më konsistente dhe më “revanshuese” në debatet parlamentare.
Me vendim të Kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi ka marrë përsipër edhe kësaj rradhe drejtimin e fushatës zgjedhore si Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor, duke e konsideruar këtë rol si prioritet të parevokueshëm në rrugën e partisë drejt fitores më 28 dhjetor.
Në një njoftim publik, Krasniqi tha se këto zgjedhje përbëjnë një mundësi reale për t’i rikthyer vendit normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin, ndërsa theksoi se PDK hyn në këtë proces zgjedhor më e përgatitur, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për t’i dhënë Kosovës drejtimin që meriton.
Për herë të parë pas shtatë mandateve të njëpasnjëshme si deputet, Krasniqi ka vendosur që të mos jetë pjesë e listës zgjedhore, duke zgjedhur t’i përkushtohet plotësisht organizimit dhe udhëheqjes së fushatës dhe mbështetjes së kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.
“Ky është një vendim i qëllimshëm, që më lejon t’i përkushtohem tërësisht ekipit dhe fitores sonë të përbashkët,” ka deklaruar ai.
Me këtë vendim, skena parlamentare do të humbë një nga debatuesit më të spikatur të dekadës së fundit – një figurë që ka ditur t’i artikulojë qëndrimet e PDK-së me qartësi, intensitet dhe shpeshherë me një qasje të mprehtë kritike, që e ka karakterizuar profilin e tij politik.
PDK, ndërkohë, e vlerëson këtë hap si një forcim të strukturës së fushatës, duke synuar mobilizim të plotë të bazës dhe një paraqitje të fuqishme në zgjedhje.
“Ecim bashkë, me besim dhe vendosmëri, për një Kosovë më të mirë për të gjithë,” përfundon Krasniqi në njoftimin e tij.












