Kësaj dileme partitë politike duhet t’i japin përgjigje zyrtare brenda javës, përkatësisht deri më 30 nëntor, ndonëse deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim që do të mund të surprizonte skenën politike kosovare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress se sipas ligjit, çdo parti politike e regjistruar që synon të marrë pjesë në zgjedhje në kuadër të një koalicioni ka detyrimin ta njoftojë KQZ-në për këtë mënyrë të garimit.
Sipas tij, 30 nëntori 2025 është afati i fundit për dorëzimin e këtij njoftimi, çka do të thotë se deri në këtë datë partitë duhet të deklarojnë nëse synojnë të garojnë në koalicion në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, ka thënë Elezi.
Elezi ka theksuar se partia politike e cila vendos të bëhet pjesë e një koalicioni ka detyrimin të respektojë rregullat.
Gjithashtu, deri më 30 nëntor 2025 është afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.














