Pierre Richard Prosper, avokat i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit në Hagë, ka thënë se sistemi gjyqësor ndërkombëtar e ka humbur rrugën.
Ai tha se ndihet i shqetësuar nga ajo që ka parë, me kualitetin e provave mbi të cilat mbështetet Prokuroria për ta dënuar dikë.
“Nuk mendoj se ky është standardi që duhet të merret shembull nga kushdo, qoftë gjykatë vendore apo ndërkombëtare. Nuk mund të jemi në një situatë ku Prokuroria mbështetet në deklarata e raportime shtypi, libra, madje nuk e prezanton as autorin e librit”.
“Prokuroria mbështetet edhe në drafte librash, ja këto i ka prova!”, deklaroi ai.
Sipas Prosper, një proces gjyqësor duhet të jetë vendi ku dikush i cili ka vuajtur duhet të vijë dhe të tregojë se çfarë i ka ndodhur dhe ku pala tjetër e ka mundësinë ta ekzaminojë, “por të mbështetesh në citime të BBC-së a CNN a AP-së si ajo të jetë prova dhe e vërteta, është shokuese!”
“Ne me kësi procedura kemi punë dhe me to do të merremi, por mendoj se jo vetëm në shtetet në zhvillim e sipër, por edhe në vendet e zhvilluara, nuk veprohet kështu. Dhe mendoj se sistemi gjyqësor ndërkombëtar e ka humbur rrugën”, potencoi Pierre Richard Prosper.
Ai nuk deshi të komentojë nëse Gjykata në Hagë është politike.
“Duhet ta lëmë procesin të përfundojë. Ata janë gjyqtarë me përvojë, të edukuar dhe intelektualë, duhet të mbështetemi tek ta dhe të kemi besim se ata e kanë parë të vërtetën! Kur ta marrin vendimin, nëse do të jetë i atillë me të cilin ne nuk pajtohemi, në atë pikë do të jem në gjendje të ta jap mendimin tim për natyrën apo cilësinë e vendimit të tyre”.
“Shpresoj se kur të arrijmë në atë pikë do ta shohim të vërtetën, dhe e vërteta duhet të pasojë me lirimin e atyre personave”, deklaroi në fund Pierre Richard Prosper, avokat i Hashim Thaçit në Hagë.












