Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arbër Ismajli, ka zhvilluar një takim të veçantë me mësimdhënësit e arsimit të qytetit, të cilin e ka cilësuar si “kënaqësi dhe nder të veçantë” për të takuar njerëzit që çdo ditë mbjellin dije, edukatë dhe vlera te gjeneratat e reja.
“Ishte një takim me plot emocione, reflektime dhe ide për një arsim më cilësor e më dinjitoz në qytetin tonë. Të gjithë bashkë ndamë bindjen se arsimi është themeli i çdo zhvillimi. Pa shkolla të forta, pa mësimdhënës të motivuar dhe pa kushte të mira, nuk mund të kemi të ardhme më të mirë për fëmijët tanë,” theksoi Ismajli.
Ai premtoi se arsimi do të jetë prioriteti i parë i qeverisjes së tij, duke theksuar rëndësinë e investimeve në shkolla, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e motivimit për mësimdhënësit.
“U ndjeva krenar të dëgjoj përkushtimin, sakrificën dhe dashurinë që secili prej tyre e ka për profesionin dhe për nxënësit e vet. Këta janë heronjtë e përditshmërisë që me mund e përkushtim e mbajnë të gjallë dritën e dijes në çdo lagje e çdo fshat të Gjilanit,” tha ai.
Në fund, Ismajli falënderoi nga zemra mësimdhënësit për mikpritjen dhe për fjalët e mençura që u ndanë në takim.
“Ju jeni udhërrëfyesi dhe motivi im më i madh në jetë. Bashkë me ju do ta ndërtojmë një arsim modern, me dinjitet dhe me kushte që i bëjnë krenarë mësimdhënësit tanë,” përfundoi kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit.