Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në një intervistë për emisionin “Libero”, ka folur si rrallëherë më parë për jetën e tij personale; fëmijërinë, shkollimin, familjen dhe karrierën politike. Ai ndau edhe një periudhë të vështirë të jetës, kur në moshën 14-vjeçare humbi nënën, ngjarje që sipas tij sado e dhimbshme, e afroi edhe më shumë me babanë dhe katër motrat e tij.
“Nëna gjithmonë më priste në ballkon kur kthehesha nga shkolla fillore,” tregoi Ismaili, duke përmendur një kujtim të ngrohtë që i ka mbetur gjithmonë në mendje. Ai tregoi se humbja e saj në moshë të re e detyroi që të bëhej më i përgjegjshëm, sidomos pasi babai i tij ishte në moshë më të vjetër dhe familja e tij kishte nevojë për mbështetje. Për këtë arsye, ai tregoi se filloi të punonte që nga mosha 15-vjeçare dhe, pas moshës 18-vjeçare, ka mbajtur mbante më shumë se një punë njëkohësisht për të ndihmuar familjen.
Sipas tij, kjo periudhë e formoi dhe i dha ndjenjën e përgjegjësisë, duke e shtyrë të jetë më i vendosur në jetë dhe në angazhimet e tij.