Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, së bashku me kandidatët për Asamble Komunale, Driton Nuhiu dhe Florina Jerliu, ka vizituar sot Ndërmarrjen Publike Lokale “Tregu”.
Gjatë vizitës, Ismajli falënderoi Kryeshefin Ekzekutiv, Avdyl Jerliu, dhe gjithë punëtorët e ndërmarrjes për angazhimin e tyre të përditshëm në mbajtjen e qytetit të pastër e të rregulluar.
“Punëtorët e NPL ‘Tregu’ janë heronjtë e heshtur të Gjilanit, të cilët pa shumë fjalë por me shumë përkushtim kujdesen për ambientin tonë të përbashkët. Ky angazhim është një vlerë që duhet respektuar dhe mbështetur”, tha Ismajli.
Ai theksoi se në qeverisjen e ardhshme të LDK-së, do të ketë dyer të hapura për bashkëpunim me të gjitha ndërmarrjet publike, duke shtuar se një qytet i pastër është pasqyra më e mirë e kulturës dhe dinjitetit të një populli.
“Gjilani meriton shumë më shumë. Së bashku do ta bëjmë Gjilanin e ri, qytet për të cilin do të na kenë lakmi të gjithë”, u shpreh kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli.