Ali Ahmeti thotë se Albin Kurti ka marrë anën e Hristian Mickosit në Maqedoninë e Veriut dhe se ‘nuk e kupton se çka po e shtyen ta bëj këtë’.

Në një intervistë Ahmeti ka thënë se Kurti po përkrah politikën anti-shqiptare të Mickoskit.

“Përse Albin Kurti merr anë?
Në këtë situatë Albin Kurti ka marrë anë dukshëm, që mua nuk më pengon, le të marrë anë sepse politikat e mia janë ndryshe në aspektin e politikave kombëtare. Unë kam bashkëpunuar me të gjthë politikanët në te gjitha vendet shqiptare, sepse neve si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut na duhen raporte të mira me të gjithë shqiptarët.

Albini ka marrë anë që në mënyrë indirekte, duket hapur në mbësheteje të politikave anti-shqiptarë të Mickoskit” – thotë Ahmeti në këtë intervistë.

Ai ka listuar disa nga nismat që sipas tij, ka ndërmarrë Mickoski si ‘politikë anti-shqiptare’.

“Përderisa Hristjan Mickoski del hapur kundër Korridorit 8, e më vonë thotë është vepër shumë e madhe, por dy muaj televizionet në Maqedoni janë marrë me korridorin 8, dhe ka qenë shumë irrituese për shqiptarët, derisa del në fushatë Presidentja dhe kërkon hapjen e lëndëve në Tribunalin e Hagës për udhëheqjen e Ushtrisë Çliritmare Kombëtare (UÇK) – pra kërkesë e Presidentes, kjo do të thotë të gërvishësh plagë të vjetra.

Këto çështje ne i kemi mbyllë, Tribunalin e kemi mbyllë. Amnistia e UCK-së dhe policisë e ushtrisë së shtetit, është mbyllë, të gërvishësh mbi plagë të vjetra, këto dhëmbim”, thotë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, janë ‘të irrituar nga deklaratat e Albin Kurtit për çështjen e gjuhës shqipe’.

“Çka mund të them unë është që shqiptarët në Maqedoni janë tepër të irituar nga deklarata e kryeministrit të Kosovës ku ai deklaron se gjuha shqipe kurrë nuk ka qenë zyrtare në Maqedoni dhe revoltën që krijoi pa masë te shqiptarët. Anti-shqiptarët më të mëdhenj në Maqedoni e kanë mbajtur një muaj rresht në ekranet televizive, ja deklarata e kryeministrit të Kosovës.

Ai deklaron se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare sepse ka pasur iniciativë nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit të kaluar për abrogimin e Ligjit të gjuhës.

Ne kemi marrë informacionin e saktë që Gjykata do abrogojë ligjin. Tamam i ngjante vitit 89’, abrogimi i autonomisë së Kosovës nga Millosheviqi dhe jemi organizuar, kemi shkuar përpara Gjykatës Kushtetuese. Jemi vendosë me tenda aty. Dy shqiptarë dhe një turk kanë braktisur seancën dhe është shtyrë mbledhja për një datë tjetër. I jemi drejtuar aty të gjithë politikanëve, unë i jam drejtuar para Kushtetueses se kështu ka vepruar Millosheviqi kur ka abroguar autonominë e Kosovës” – thotë Ali Ahmeti.

Ahmeti thotë se ka pasur takime të gjata e shteruese me Albin Kurtin, por se ‘nuk e kupton se ka çka e ka shtyrë që kaq hapur të pronocohet pro VLEN-it’.

“Unë kam pasur takime më herët me z. Kurti. E kam patur në selinë time me orë të tëra, pesë orë, gjashtë orë. Kam biseduar të gjitha cështjet e politikave të brendshme, rajonale. Unë kam folur pa rezervë, se çka e ka shtyrë zotin Kurti që kaq hapur të prononcohet dhe të marrë anë në drejtim të VLEN-it, që tani është LEN sepse është copëtu” – deklaron Ahmeti.

Kujtojmë se para pak ditësh, Hysen Durmishi – një nga figurat kyqe të Lëvizjes Vetëvendosje mori pjesë në një nga aktivitetet e VLEN-it në Maqedoninë e Veriut, në përkrahje të tyre.

SHPËRNDAJE