Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, së bashku me kandidatët për Asamblenë Komunale, Fatos Ramadani, Gresa Krasniqi Fazliu dhe Driton Nuhiu, kanë vizituar kompaninë RC COLA, një nga bizneset që po kontribuon në zhvillimin ekonomik të qytetit.

Ismajli ka theksuar se kjo vizitë është dëshmi e potencialit të madh që ka Gjilani në fushën e ekonomisë, ndërsa ka shtuar se bizneset lokale duhet të shihen si partnerë të rëndësishëm të komunës.

“Vizioni ynë është i qartë – ekonominë vendore do ta vendosim në qendër të qeverisjes. Do të krijojmë kushte më të mira për sipërmarrësit dhe do të hapim më shumë mundësi pune për të rinjtë,” është shprehur Ismajli.

Ai ka theksuar gjithashtu se marka të njohura si RC COLA janë promotorë të zhvillimit ekonomik dhe me përkrahjen e tyre Gjilani mund të hapë një kapitull të ri zhvillimi e përparimi.

Një falënderim i veçantë iu drejtua pronarit të kompanisë, Fejzullah Mustafa, për mikpritjen dhe bashkëpunimin.

“Bashkë do ta ndërtojmë projektin për një Gjilan të ri – ekonomikisht të qëndrueshëm dhe me të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e bizneset,” tha kandidati i LDK-së.

Zgjedhjet komunale të 12 tetorit pritet të sjellin një garë të fortë në Gjilan, ku kandidatët e subjekteve politike po paraqesin vizionet dhe programet e tyre për zhvillimin e komunës.

SHPËRNDAJE