Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka folur për zotimin e tij rreth ndalimit të lejeve të reja ndërtimore, për një periudhë 6 mujore, në rast se zgjidhet në krye të Prishtinës. Sipas tij, ky vendim është i domosdoshëm për t’i dhënë fund abuzimeve me ndërtimet dhe për të vendosur transparencë e rregulla të qarta në planifikimin urban.

“Nuk do të ketë leje të reja në 6 muajt e parë. Sepse tani është duke u parë një nxitim i madh për të dhënë leje në Komunën e Prishtinës, thua se jemi në shërbim të ndërtuesve. Unë jam pro zhvillimit dhe pro ndërtimit, por vetëm me rregulla.” tha Ismaili.

 

Ai theksoi se ndërtimi në Prishtinë nuk mund të vazhdojë me logjikën e interesave të ngushta, por duhet të jetë në funksion të qytetarëve. “Në momentin që sistemi rregullohet, me transparencë e llogaridhënie, askush nuk do të marrë lejen pse ka të njofshëm, por do të marrë leje vetëm për ta zbatuar projektin sipas rregullave,” shtoi ai.

Ismaili përmendi edhe problemet konkrete me të cilat përballen qytetarët sot: banesa që shiten me premtime se do të kenë parqe e kënde lojërash që nuk ndërtohen kurrë, banesa me pëlqim të Termokosit që pastaj nuk lidhen asnjëherë me ngrohjen qendrore, çerdhe të premtuara brenda lagjeve, qasje në transport publik e hapësira të gjelbra, por të cilat në realitet mbesin vetëm në letër.

“Qytetarët kanë besuar se komuna ka interesin e tyre, por realiteti tregoi se kjo nuk ka ndodhur. Vizioni im është i qartë: Prishtina duhet të jetë funksionale dhe e planifikuar, jo pre e presionit të atyre që duan vetëm të ndërtojnë,” përfundoi Ismaili.

Video e plotë: https://www.facebook.com/share/r/14HdmPBGsAg/

SHPËRNDAJE