Shumë qytetarë të Komunës së Prishtinës ankohen se nuk kanë ngrohje nga Termokosi, ndërsa ky i fundit krekoset me deklarata për punë të mira në kryeqytet.
Këto ditë ka përfunduar mandatin ish-kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z. Fisnik Osmani, ndërsa është emëruar ushtrues detyre Kastriot Bllaca.
Në kohën e Osmanit, në vend që të përqendrohej në shtrirjen e ngrohjes në të gjithë qytetin, ai zgjodhi të paguante mediat për të shmangur kritikat.
GazetaKosova.net ka pyetur disa herë Termokosin pse po i paguan mediat dhe ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare, sidomos në kontratat e lidhura mes Termokosit dhe mediave. Pas insistimeve, kompania ka pranuar të na dërgojë vetëm kontratat me 6 portale, por jo edhe ato që arrijnë shuma mijëra euro me televizionet në Kosovë.
Nga kontratat e siguruara, shihet se çmimi është i njëjtë për secilin portal: 800 euro në muaj. Ndërkohë, është raportuar më herët se disa televizione paguhen deri në 35 mijë euro në vit. Megjithatë, Termokos po vazhdon të heshtë dhe nuk ka dërguar këto kontrata.
Nuk dihet nëse kompania ka marrëveshje edhe me portale të tjera, por nga dokumentet e siguruara rezulton se 6 prej tyre paguhen çdo muaj nga 800 euro. Në anën tjetër, qytetarët e Prishtinës vazhdojnë të ankohen se gjatë dimrit nuk kanë se si të nxehen, pasi Termokosi po i anashkalon.
Këtë e dëshmojnë edhe komentet e shumta në faqen zyrtare të Termokosit në Facebook, ku banorët kërkojnë shtrirjen e ngrohjes edhe në lagjet e tyre. Mirëpo, shpesh kompania i mbyll komentet dhe nuk lejon kritikat.
Një qytetar nga Prishtina, Ardian Ymer Krasniqi, vetëm një javë më parë i është drejtuar ish-kryeshefit Osmani me këto fjalë:
“Në mahallën e Kaçallarëve, afër Teatrit Dodona, Fakultetit të Studimeve Islame dhe Shkollës fillore ‘Elena Gjika’, jemi tri blloqe banesash të shtetit me nga tre hyrje, diku mbi 70 familje. Këtu afër janë vendosur gypat e ngrohjes së Termokosit dhe keni premtuar se në vitin 2024 do të na kyçni, por nga shkrimet që po lexojmë për studimet e fizibilitetit nuk shihet që jemi në plan. A mund të na jepni një sqarim se a parashihemi të kyçemi apo jo? Faleminderit.”
Ndërsa Berkant Shala shkruan:
“Ti mundesh me shtri ngrohjen në krejt Prishtinën, por ngrohje të mjaftueshme nuk ka. Harrone, sidomos në Bregun e Diellit. Leni këto reklama parazgjedhore se nuk i hamë me fore, harrone!”
Flamur Berisha, një tjetër qytetar, thekson:
“Nuk jeni në gjendje të rregulloni temperaturën si duhet në këto që janë aktive, si p.sh. MS13 dhe MS14. E po shtrini rrjet më shumë? Rrenë janë këto! Vjet dhe sivjet tmerr ka qenë.”
Edhe Korab Kernja, i zhgënjyer me premtimet, komenton:
“Rruga Ismail Luma, Mati 1, për vitin e kaluar e kishit në program për ta futur ngrohjen, por vetëm keni rrejtë. S’e keni shti. Mos rreni o rrenca!”
Ndërsa Mevlyde Çakmaku Hajdaj pyet:
“E te banesat e Standardit, kur e keni në plan me e lidhur ngrohjen?”
Nga njëra anë, qytetarët mbesin pa ngrohje e me premtime të parealizuara, ndërsa nga ana tjetër Termokosi shpërndan dhjetëra mijëra euro për media, duke tentuar të fshehë dështimet e tij.
Në këto postime i gjeni shumë komente të qytetarëve: