Fushë Kosovë, 26 shtator 2025 – Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në Tubimin Qendror të LDK-së që do të mbahet sonte nga ora 19:00, në Sallën Sportive “Mihal Grameno”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme elektorale do të marrë pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili do t’u drejtohet qytetarëve të Fushë Kosovës me mesazhin e tij për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Osmani theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve në këtë tubim është “forca jonë dhe garancia e fitores së përbashkët”, duke nënvizuar se LDK është e përkushtuar të sjellë ndryshime dhe zhvillim për komunën.
Me moton “Fushë Kosova PËRTEJ”, Osmani dhe LDK synojnë të mobilizojnë elektoratin për fitoren në garën lokale, duke theksuar bashkëpunimin, përfaqësimin gjithëpërfshirës dhe vazhdimësinë e punës së deritanishme të kësaj partie në komunë.