Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, z. Besnik Osmani, ka vizituar kompaninë Kosmonte Foods, ku u prit nga menaxhmenti dhe stafi i saj.
Osmani tha se Kosmonte Foods nuk është vetëm një kompani ushqimore, por një shembull i vizionit dhe i punës së palodhshme, që kontribuon në zhvillimin ekonomik të komunës dhe të vendit në tërësi.
“Kosmonte Foods sjell produkte cilësore për qytetarët tanë, por njëkohësisht krijon edhe vende pune për shumë qytetarë të Fushë Kosovës. Në takimin me menaxhmentin dhe stafin e kompanisë u ndjeva i frymëzuar nga përkushtimi i tyre për inovacion, cilësi dhe qëndrueshmëri,” tha Osmani.
Ai shtoi se Fushë Kosova ka potencial të madh ekonomik dhe se vizione të tilla si ai i kompanisë Kosmonte Foods dëshmojnë se qyteti mund të shkojë “Përtej” zhvillimeve aktuale, duke krijuar mundësi të reja për banorët e saj.
Vizita e kandidatit të LDK-së në këtë ndërmarrje shihet si një nga aktivitetet që vënë theksin tek partneriteti mes institucioneve komunale dhe sektorit privat, për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve.