Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar një takim me sportistë nga komuna, ku bashkëbisedoi për sfidat, sukseset dhe nevojën për mbështetje institucionale ndaj sportit.
Osmani theksoi se sportistët e Fushë Kosovës janë dëshmi se me disiplinë dhe përkushtim arrihet suksesi, duke shtuar se angazhimi i tij dhe i ekipit që përfaqëson është i qartë: të krijohen kushte më të mira për sportistët dhe të investohet në gjeneratat e reja.
“Sportistët tanë janë shembulli më i mirë se si me disiplinë dhe përkushtim arrihet suksesi. Angazhimi ynë është i qartë: të krijojmë kushte më të mira për ta dhe të investojmë në gjeneratat e reja. Bashkë, për sport më të fuqishëm dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë,” – u shpreh Osmani.
Ai potencoi se sporti nuk është vetëm aktivitet fizik, por edhe një urë që lidh komunitetin, rrit frymën e bashkëpunimit dhe përfaqëson me dinjitet qytetin në gara vendore dhe ndërkombëtare.
Në përmbyllje të takimit, kandidati i LDK-së siguroi sportistët se mbështetja për ta do të jetë një ndër prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës për Fushë Kosovën.