Në kuadër të vizitave të tij në bizneset e komunës, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka vizituar sot kompaninë “Koral Corporation”, e cila është një prej emrave më të njohur në prodhimin dhe përpunimin e mishit dhe produkteve të tij.

Gjatë takimit me drejtuesit e kompanisë, Osmani u informua nga afër për punën, arritjet dhe sfidat me të cilat po përballet sektori i përpunimit të ushqimeve. Ai veçoi faktin se për shkak të shtrenjtimit të madh të energjisë, bizneset e këtij sektori kanë vështirësi serioze për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe praninë e tyre në treg.

“Si kandidat për kryetar të Komunës, besoj fuqishëm se mbështetja e prodhuesve tanë është çelësi për zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të reja të punës dhe forcim të kapaciteteve vendore”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se programi i tij për Fushë Kosovën ka në qendër fuqizimin e prodhuesve dhe bizneseve vendore, duke garantuar një mjedis më të favorshëm për punë e investime.

“Fushë Kosova PËRTEJ”, përfundoi Osmani, duke theksuar vizionin e tij për një komunë më të zhvilluar dhe më konkurruese.

SHPËRNDAJE