Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka zhvilluar një vizitë në fabrikën “Grid Group”, e cila drejtohet nga Visar Alidema.

“Grid Group” është një kompani e specializuar në prodhimin e materialeve ndërtimore dhe rrjetave fasaduese, që tashmë ka arritur të depërtojë në tregjet ndërkombëtare. Kjo kompani ka përfaqësuar Gjilanin dhe Kosovën në panairin prestigjioz New York Build në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke prezantuar produktet e saj inovative.

Ismajli u shpreh se suksese të tilla janë dëshmi e kapaciteteve të qytetit dhe njerëzve punëtorë që e karakterizojnë Gjilanin. Ai theksoi se bizneset vendore janë motori kryesor i zhvillimit dhe inovacionit, duke shprehur bindjen se qyteti ka potencial për t’u kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike.

“Bizneset e tilla gjilanase janë siguria më e madhe se Gjilani ka kapacitet, vizion dhe njerëz punëtorë që mund ta kthejnë qytetin tonë në qendër të zhvillimit dhe inovacionit,” tha Ismajli, duke falënderuar Alidemën për mikpritjen.

Ai po ashtu shtoi se qeverisja e ardhshme lokale do të jetë e përkushtuar për të mbështetur politikat që fuqizojnë bizneset vendore dhe u zotua se LDK do të qëndrojë pranë sipërmarrësve në çdo kohë.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ndërsa Arbër Ismajli është kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit.

SHPËRNDAJE