Flamuj të Shqipërisë, Kosovës e emblema e UÇK-së, një vit më parë, barteshin nga qindra shqiptarë që ishin mbledhur në Hagë.

“Mos i barazoni viktimat me kriminelët” dhe “UÇK luftoi për liri” ishin vetëm dy prej pankartave që protestuesit bartnin në marshin që u organizua para se të niste një prej proceseve gjyqësore më të rëndësishme të dekadave të fundit.

3 prilli, shënoi seancën e parë ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku në akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit të ngritura nga Prokurori i Specialozuar, ata u deklaruan të pafajshëm.

Por, një vit më vonë, procesi, në Kosovë po shihet me shumë dyshime e jo pak kritika.

Bekim Çollaku, bashkëpunëtor e tash pjesë e ekipit mbrojtës të ish presidentit Thaçi, thotë se janë bërë padrejtësi të shumta, duke e quajtur si proces të motivuar politikisht, por theksin e vë tek procesi i ngadalshëm, e mungesa e transparencës.


“… nga 54 dëshmitarët, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre deri sot, vetëm 17, kanë qenë në seanca të hapura kurse pjesa tjerër 37 në seanca të mbyllura. Publiku në Kosovë, qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar mirë nuk ka transparencë të mjaftueshme, dhe cka është më e keqja nuk ka mbikëqyrje adekuate, për këtë proces që është tërësisht i kontrolluar nga brenda”, ka deklaruar Çollaku.

Problemet që e kanë shoqëruar procesin i përmendin edhe monitorues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Fillimi i tij është shoqëruar me disa probleme të shkaktuara nga zyra e Prokurorit të Specializuar, për shkak se të njëjtit vazhdimisht kanë kërkuar shtyrje të afateve për nxjerrjen e provave, e që për IKD-në kjo ka qenë një qasje jo serioze e tyre, pastaj një problem tjetër mund të cekim mosplanifikimi i duhur nga ana e mbrotjes dhe ZPS-së, për marrje në pyetje të dëshmitarëve që kjo ka shkaktuar një farë mënyre, humbje kohe dhe ndikon në zgjatjen e procesit”, ka thënë Blendina Veliqi – Monitoruese në IKD.

Derisa, deri në fund të procesit gjyqësor kanë mbetur edhe mbi 100 dëshmitarë për tu dëgjuar, avokati Taulant Hodaj është i mendimit se procesi mund të kryeht më shpejtë se që ishte pritur, të paktën në shkallë të parë.

“Nësë shkon me këtë ritëm duhet të pritet që vitin tjetër, në verën e vitit tjetër të përfundojë gjykimi në këtë rast. Po ajo që e ceka në fillim ka qenë karakteristika e mostransparencës, ndryshimet e avokatëve të të akuzuarve dhe ndryshimet e prokurorëve në këtë rast”, ka deklaruar Hodaj.

Hodaj përmend se Zyra e Prokurorit të Specializuar, nga krimet e luftës fokusin e ka zhvendosur tek rastet për pengim të drejtësisë, çka e konsideron edhe shqetësuese.

Sipas aktakuzës së ZPS-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit e krime lufte, që pretendohet se janë kryer ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator të vitit 1999.

Megjithëse procesi kishte filluar një vit më parë, ata janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

SHPËRNDAJE