Pjesa më e madhe e Evropës është ende e izoluar për shkak të koronavirusit, me kufizime të mëdha në lëvizje dhe gjobitje për ata që shkelin masat. Por jo Suedia. Restorantet dhe baret janë të hapura në vendin nordik, fusha lojrash dhe shkolla gjithashtu, dhe qeveria po mbështetet në veprime vullnetare për të penguar përhapjen e COVID-19.
Është një qasje e diskutueshme që ka tërhequr edhe vëmendjen e presidentit të SHBA, Donald Trump. Sipas tij, Suedia do të vuajë shumë keq sepse po ndjek metodën e infektimit të “tufës” me qëllim që të krijohet imunitet tek njerëzit dhe po mbron ata që janë infektuar.
Por qeveria suedeze është e bindur që politika e saj mund të funksionojë. Ministrja e Jashtme Ann Linde tha se Trump gabon me arysetimin e tij. Strategjia e Suedisë, tha ajo, është: “Asnjë bllokim. Ne mbështetemi shumë te njerëzit që marrin vetë përgjegjësinë.”
Epidemiologu i shtetit të vendit, Anders Tegnell gjithashtu replikoi Trump për kritikën e tij.
“Unë mendoj se Suedia po bën mirë”, tha ai.
Veprimet e Suedisë kanë të bëjnë me inkurajimin dhe rekomandimin e jo detyrimin. Dy ditë pasi Spanja vendosi një bllokim mbarëkombëtar në 14 mars, autoritetet suedeze po inkurajonin njerëzit të lanin duart dhe të qëndrojnë në shtëpi nëse janë të sëmurë.
Më 24 mars, u vendosën rregulla të reja për të shmangur grumbullimin në restorante. Por restorantet qëndruan të hapura. Të hapura u mbajtën edhe shkollat. Takimet me deri në 50 persona janë ende të lejuara.
Suedia ka 9.114 raste të virusit Covid-19 dhe 793 vdekje, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.