Kryetarët e qeverive të BE-së do të diskutojnë në fundjavë si duhet të sillen në krizën e ardhshme financiare dhe si të forcojnë euron. Kancelarja gjermane Angela Merkel dha sot për këto çështje një deklaratë qeveritare.

Në fund të javës, shefat e qeverive të BE do të takohen në Bruksel. Tema më e rëndësishme e bisedimeve të tyre: si do të veprojë BE me krizën më të fundit dhe kriza të tjera financiare dhe si mund të stabilizohet Euro si monedhë e përbashkët në plan afatgjatë? Para udhëtimit në takimin e nivelit të lartë, kancelarja e shpjegoi se si e përfytyron këtë.

Që prej vitit 2007, kriza financiare dhe ekonomike është temë e vazhdueshme në BE. Vendeve anëtare u merren herë pas here këmbët, për shkak të deficiteve të tyre, dhe euro ndodhet në këtë mënyrë nën presion.

Pas takimit të nivelit të lartë në BE në ditët e ardhshme kjo synohet të bëhet ndryshe, premton kancelarja Angela Merkel para deputetëve të Bundestagut: “E gjithë paketa për forcimin e bashkimit ekonomik dhe monetar ndjek për këtë arsye tri synime: së pari, më tepër stabilitet dhe qendrueshmëri. Së dyti, forcim i aftësisë për konkurencë, dhe së treti, arritjen e një raporti të barazpeshuar midis përgjegjësisë personale dhe qendrueshmërisë.”

Dënime për mëkatarët

Shefat e qeverive të BE vendosin për masa, të cilat do të hyjnë në fuqi që prej vitit 2013, për rastet kur shtetet e BE kërcënohen nga humbja e aftësisë paguese. Fondi i stabilitetit të Euros do të zgjerohet në 440 miliardë euro. Gjermania paguan në depon e kapitalit 22 miliardë euro.

BE synon me këtë që kandidatët e lëkundur të detyrohen të marrin masa më herët: “Kështu, shtetet anëtare të Euros në të ardhmen kërcënohen edhe atëherë nga sanksionet, kur nuk ndërmarrin hapa në drejtim të një buxheti të konsoliduar. Dhe ne kemi arritur që mëkatarët e financave, të cilët e shkelin nivelin e Mastrihtit prej tre përqind të produktit kombëtar bruto të ndëshkohen në të ardhmen më herët dhe më shpejt.”

Dënime konkrete i kërcënojnë edhe ato shtete, borxhi i të cilave është mbi 60 përqind e buxhetit vetjak. “Me këtë paketë të përgjithshme ne nxjerrim mësime nga kriza e borxheve. Dhe ne krijojmë një kornizë që gabimet e së shkuararës të mos ndodhin më në kohët e reja.”

Opozita gjermane skeptike

Deklarata e Merkelit përmban shumë patos: ajo bën thirrje për një përgjegjësi gjithëevropiane dhe për një vit të besimit. Por opozitën kjo nuk e bind. Gregor Gysi, shef i Grupit Parlamentar të të Majtëve nuk është në gjendje të dallojë që zonja Merkel dhe kolegët e BE të kenë mësuar diçka nga krizat më të fundit: “As spekullimet nuk i kanë kufizuar, as fondet Hedge. As taksë për transaksionet financiare nuk është vendosur. Fondi Monetar Ndërkombëtar tani druhet për shpërthimin e një krize edhe më të keqe, sepse asgjë nuk është e rregulluar.”

Socialdemokratëve Pakti i Stabilitetit vërtet u duket në rregull, por ata brengosen nëse qytetarët do ta pranojnë atë. Eksperti i financave të PSDGJ, Peer Steinbrück: “Qytetarët nuk janë të lodhur me Evropën, por janë lodhur me organizimin e Evropës. Për ta kapërcyer këtë hendek, Evropa duhet të largohet nga vendimet qeveritare. Proceset evropiane të vendimeve ne duhet t’i përcjellim në parlament, si në Parlamentin Evropian, ashtu edhe në parlamentet nacionale.”

SHPËRNDAJE