Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa realizoi sot takim të përbashkët me përfaqësuesit e ministrisë së shëndetësisë në Beograd ku u diskutua për çështjen e maternitetit me theks të veçantë për zbatimin e prokurimit publik. Gjatë pasdites së sotme kryetari i komunës, Ragmi Mustafa ka pranuar edhe kontratën e nënshkruar nga ministri i pushtetit lokal, Millan Markoviq me të cilën kontratë ministria e pushtetit lokal do të financojë ndërtimin e çerdhes në bashkësinë lokale Ashan.
Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa me anëtarët e komisionit për prokurim publik dhe me përfaqësuesit e Trupit Koordinues realizuan sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e ministrisë së shëndetësisë në Beograd. Në takimin e sotëm u diskutua për çështjen e maternitetit me theks të veçantë për zbatimin e prokurimit publik kofinancues i së cilës është ministria e shëndetësisë dhe Trupi Koordinues. Kryetari Mustafa ka konfirmuar se në takimin e sotëm u kërkua nga përfaqësuesit qeveritarë që të jenë pjesëmarrës në përcaktimin e kushteve të përgjithshme të prokurimit publik, prokurim ky që është në procedurë e sipër. Prokurimi publik i datës 24 mars kishte disa defekte i cili sipas zyrtarëve kompetent duhet të ndërpritet me gjasë që të fillohet prokurimi i ri edhe atë në faza për shkak të kufizimit të mjeteve materiale. Faza e parë e maternitetit ka të bëjë me përshkrimin e punëve që do të ketë vlerën prej 30 deri në 50 milion dinarë, mjete këto që do të sigurohen nga ministria e pushtetit lokal për punë ndërtimore dhe arkitektonike, faza e dytë për vitin tjetër si dhe punët ndërtimore dhe infrastrukturore do të mbeten si fazë e tretë duke përfshirë këtu ujësjellësin, kanalizimin, sistemin e ngrohjes dhe të tjera. Gjatë pasdites së sotme kryetari i komunës, Ragmi Mustafa ka pranuar edhe kontratën e nënshkruar nga ministri i pushtetit lokal, Millan Markoviq me të cilën kontratë ministria e pushtetit lokal do të financojë ndërtimin e çerdhes në bashkësinë lokale Ashan. Dy javë më parë janë dorëzuar tek ekzekutivi preshevarë edhe katër kontrata të tjera që kishin të bëjnë me realizimin e projekteve infrastrukturore si në shkollën fillore në bashkësinë lokale Leran, Strezoc, Sllavujevc dhe në Svinjishtë. /TVP