Institucione komunale e qendrore, dyqane, kafiteri dhe lokale të ndryshme në Shkup por edhe qytete tjera vazhdojnë të mos përfillin mbishkrimet në gjuhën shqipe.

Tabelat hyrëse dhe treguese të tyre vazhdojnë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik, dhe në raste të ndryshme, përdoret një gjuhë e tretë, ndërsa anashkalohet gjuha shqipe.

Konkretisht tërë gjatësia e rrugës Shkup – Prishtinë, autostrada Shkup – Tetovë, Shkup – Kumanovë etj. të tëra njoftimet janë në gjuhën sllavo maqedonase, e bile në vendet e pagesës së autostradës njoftimet ndoshta janë deri në 5 gjuhë por ironikisht në shqip nuk janë.

Paradoksale është se Shqipëria respekton gjuhën e një grupi të vogël të maqedonasve në disa vendbanime ku ata jetojnë, ndërsa rreth 30 për qind e shqiptarëve në Maqedoni janë të privuar nga kjo e drejtë.

Shenja të institucioneve dhe rrugëve në gjuhën sllavo maqedonase janë vendosur në Komunën Liqenas (Pustec) të Prefekturës së Korçës.

Emrat e vendeve të njohura dhe të institucioneve që ishin të shkruara në shqip, tash janë të shkruara edhe në gjuhën sllavo maqedonase.

Në total janë 9 shenja rruge, tabela spitalesh, qendra kujdesi familjar, 2 shkolla dhe 56 rrugica dhe 11 lagje u bënë me mbishkrime dy gjuhësh, të cilat shenja janë të dhuruara nga komuna e Gazi Babës.

Duket se shqiptarët i japin çdo të drejtë minoriteteve etnike në një vend që nuk është multietnik si Shqipëria ,kurse në një vend zyrtarisht ‘multietnik’ si Maqedonia që përbëhet me mbi 35 për qind e popullatës shqiptarë, nuk ka shenja të trafikut dhe institucioneve dygjuhësh.

Edhe Tetova pa shenja shqip

E njëjta ndodh edhe në qytetin e Tetovës. Të gjitha bizneset private të qytetarëve maqedonas, por edhe institucione arsimore e bankare në komunën e Tetovës nuk respektojnë gjuhën shqipe. Mbishkrimet e vendosura në ndërmarrjet apo institucionet e tilla janë të shkruara vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa në disa prej tyre ka vend për gjuhën angleze dhe jo për gjuhën shqipe, edhe pse popullsia dominuese në këtë komunë është ajo shqiptare.

Në çdo anë ku janë të pranishme dyqanet apo lokalet e ndryshme me pronarë maqedonas shihet që nga largësia shkrimi cirilik i reklamave, duke mos përmbajtur asnjë fjalë shqipe. Në komunën e Tetovës theksojnë se nuk kanë çfarë të bëjnë përballë këtyre dukurive që janë evidente që nga e kaluara.

“Për mbishkrimin e firmave dhe institucioneve në nivel të vetëadministrimit lokal në dy gjuhë ekziston ligji, por nuk ekzistojnë sanksionet dhe gjobat, për shkak të mospërdorimit edhe të gjuhës shqipe në vendet ku shumica e popullsisë është shqiptare. Ky ligj është i diskutueshëm dhe dualist që në një mënyrë e mbron gjuhën maqedonase”, ka theksuar kohë më parë zëdhënësi i komunës së Tetovës, Flakran Pustina.

Por nga ana tjetër, ndërmarrjet shqiptare gati se shumica e respektojnë dygjuhësinë në mbishkrimet e tyre, duke vendosur fillimisht gjuhën maqedonase dhe pastaj gjuhën shqipe, vetëm e vetëm për t`u mos u përballur me ligjin dhe sanksionet.

“Në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku njëzet për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në Njësinë e Vetëadministrimit Lokal duhet që mbishkrimet e firmave dhe institucioneve të shkruhen në dy gjuhë në atë maqedonase dhe shqipe dhe firmat me këtë rast janë të obliguara me ligj që t’i bëjnë këto mbishkrime thonë në zyrën për informim në Komunën e Tetovës.

Sipas tij, mosrespektimi i dygjuhësisë në rastin e maqedonasve ndaj gjuhës shqipe, nga komuna theksojnë se sqarime duhet të jap Regjistri qendror, atje ku bëhet regjistrimi i firmave, ku gjithashtu shumë ndërmarrje private të qytetarëve maqedonase tërheqin vendimet vetëm në gjuhën maqedonase.

Komuna e Tetovës kërkon ndryshime të ligjit, pasi që sipas tyre, ligji aktual në këtë sferë paraqet një hendikep dhe nuk mund të shqiptohen sanksione.

Kadriu: Të ndryshojë ligji për këtë problematikë

Eksperti për çështje juridike, prof.dr. Osman Kadriu thekson se sa i përket kësaj problematike në komunën e Tetovës, të gjitha ndërmarrjet duhet të respektojnë dhe zbatojnë gjuhën shqipe, konform kushtetutës. “Sepse për ato komuna gjuha shqipe është gjuhë zyrtare edhe ne nivel të organeve edhe njësive tjera, po edhe për gjitha ndërmarrjet tjera private e publike”, thekson Kadriu.

 

Ai vlerëson se në praktikë është e qartë se aspak nuk zbatohet gjuha shqipe në aspektin e mbishkrimeve nga qytetarët maqedonas në komunat me shumicë shqiptare.

“Patjetër që ligjdhënësit duhet të rregullojnë këtë gjë ose të miratohet një ligj i ri për këtë sferë të marrëdhënieve shoqërore komform Marrëveshjes së Ohrit, ku nëpër të gjitha këto sfera ku shqiptarët janë në një numër të konsiderueshëm gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare dhe të zbatohet nga të gjitha sferat e marrëdhënieve shoqërore”, ka theksuar eksperti për çështje juridike, Osman Kadriu.

SHPËRNDAJE