Deputetët e  Kuvendit të Republikës së Kosovës, me shumicë votash (47 për, 9 kundër dhe 2 abstenim) sot miratuan rezolutën për kodin e telefonisë së re të Kosovës i cili nga sot do të jetë me prefiskin 00355…e jo sikur deri më tash me atë të Srbisë 00381.., njofton agejncia informative kombëtare “Presheva Jonë”

 

Prishtinë, 6 shtator

Sipas Rezolutës së miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale, që i shfrytëzon Kosova (+377, +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355.

 

Në tekstin e miratuar të Rezolutës thuhet:

“Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6, paragrafi 1  dhe të nenit 52, pika 2, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës,

– Duke qenë se Republika e Kosovës ende nuk është anëtare e OKB-së dhe UNT-së (Unionit Ndërkombëtar për Telekomunikacion; angl. ITU), e rrjedhimisht nuk mund të ketë kod të vetin telefonik,

– Duke i pasur parasysh humbjet e mëdha financiare (qindra milionëshe) të cilat i ka pësuar dhe i pëson  Republika e Kosovës nga shfrytëzimi i kodeve të huaja telefonike: të Monakos, Serbisë, e Sllovenisë,

– Duke e pasur parasysh koston e komunikimit midis qytetarëve që janë shfrytëzues të kodeve të ndryshme telefonike brenda vendit tonë,

– Duke qenë se lëvizjet e shumta të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas kanë bërë që intensiteti i komunikimit midis tyre përmes rrjetit telefonik të rritet, ndërkohë që kostoja e këtij komunikimi, për shkak të kodeve të ndryshme, është shumë e lartë,

– Duke e pasur parasysh mundësinë serioze të cenimit të sigurisë shtetërore,

Në seancën plenare të datës 30 gusht 2012, miratoi këtë:

R e z o l u t ë

1.  Qeveria e Republikës së Kosovës, të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale që i shfrytëzon Kosova (+377, +381 dhe +386) me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë +355.

2. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, brenda një kohe shumë të shkurtër, t’i iniciojë negociatat me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

3. Në qoftë se kostoja e shkëputjes së kontratave aktuale valide me ofruesit e kodeve telefonike është më e lartë për vendin sesa respektimi i tyre deri në fund, këto kontrata të zbatohen deri në afatin e paraparë për përfundimin e tyre, por ato të mos vazhdohen më tutje”, përfundon teksti i Rezolutës së Lëvizjes për Bashkim, i paraqitur më 30 gusht e i miratuar në seancën e sotshme të rregullt të Kuvendit të Kosovës.

SHPËRNDAJE